Gjermania i nis kontrollet kufitare, i zemëron fqinjët - NACIONALE

Gjermania i nis kontrollet kufitare, i zemëron fqinjët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania i ka filluar kontrollet e reja në të gjitha pikat kufitare tokësore si pjesë e shtypjes së imigrimit të parregullt, duke vendosur kufizime në një zonë të gjerë të lëvizjes së lirë që njihet si Zona Schengen dhe duke nxitur zemërim në mesin e fqinjëve evropianë.

Nga e hëna, përpos kontrolleve ekzistuese kufitare në kufijtë me Austrinë, Zvicrën, Republikën Çeke dhe Poloninë, Gjermania do të ketë edhe kontrolle të brendshme kufitare me Luksemburgun, Francën, Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën, raporton televizioni CNN.

Berlini do ta ketë autoritetin për të refuzuar njerëz në të gjithë kufijtë tokësorë, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme. Rregullat e reja do të vlejnë fillimisht për gjashtë muaj.

Kjo lëvizje tregon se sa shumë e ka ndryshuar politikën Gjermania viteve të fundit rreth çështjes së ndjeshme të imigrantëve.

Qeveria gjermane nën kancelaren e atëhershme, Angela Merkel, kishte mirëpritur më shumë se një milion njerëz gjatë krizës së imigrantëve në periudhën 2015 – 2016, por tani po e ndjek shembullin e vendeve të tjera evropiane për ashpërsimin e rregullave, kur po ballafaqohet me opozitën e së djathtës ekstreme në rritje.

Të premten, Gjermania arriti një marrëveshje me Kenian për kontrollimin e migracionit. Sipas këtij pakti, Gjermania do t’ua hapë dyert punëtorëve të kualifikuar dhe të gjysmëkualifikuar nga shteti i largët afrikan.

Duke i njoftuar ndryshimet, ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se Gjermania “po e fuqizon sigurinë e brendshme përmes veprimit konkret” dhe po e vazhdon “qëndrimin e prerë kundër migrimit të paligjshëm”.

Ajo dha shenjë se qëllimi i kësaj mase është që qytetarët gjermanë të mbrohen nga rreziqet që paraqiten nga terrorizmi si dhe nga krimi serioz matanë kufirit.

Sidoqoftë, kjo masë nuk u prit mirë nga fqinjët. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se vendosja e kontrolleve kufitare në kufij tokësorë është e papranueshme për vendin e tij, duke shtuar se Varshava do të kërkojë bisedime urgjente me të gjitha shtetet e prekura nga vendimi. Greqia dhe Austria kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë emigrantë të refuzuar nga Gjermania./Nacionale

Lajme të ngjashme