Gjermania e nis drejt Detit të Kuq luftanijen “Hessen” për t’iu kundërvënë rebelëve
Luftanija gjermane “Hessen” u nis të enjten drejt Detit të Kuq, ku Berlini planifikon që ta përfshirë atë në një mision të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e anijeve të mallrave nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit, të cilët përkrahen nga Irani dhe po e pengojnë tregtinë ndërkombëtare.
Anija u nis nga porti i Detit të Veriut, Wilhelmshaven, me rreth 240 anëtarë të ekuipazhit. Qëllimi është që ajo të jetë në vendin e kërkuar porsa t’i jepet drita e gjelbër zyrtarisht misionit të BE-së dhe porsa t’i miratohet mandati nga deputetët gjermanë. Kjo pritet të ndodhë në fund të shkurtit, raporton agjencia “Associated Press”.
Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së pritet që ta miratojnë misionin në Detin e Kuq më 19 shkurt. Zyrtarët kanë thënë se shtatë vendet e bllokut janë të gatshme për të ofruar anije ose aeroplanë.
Rebelët Hoithi kanë kryer fushatë të vazhdueshme të sulmeve me dronë e raketa ndaj anijeve tregtare për shkak të ofensivës së Izraelit në Gaza kundër Hamasit, e cila nisi në tetor të vitit të kaluar.
Megjithatë, rebelët shpesh kanë vënë në shënjestër edhe anije me lidhje të dobëta ose pa lidhje të qarta me Izraelin, duke e rrezikuar transportin detar në një rrugë kyçe për tregtinë globale mes Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulmeve kundër caqeve të përdorura nga rebelët, në përpjekje për t’i dëmtuar kapacitetet e tyre për hedhjen e raketave. Megjithatë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian – i quajtur “Aspides”, sipas fjalës greke për “Mburojën” – nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm ushtarak dhe vetëm do të operojë në det.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e ShBA-së tha se forcat e saj kryen sulme vetëmbrojtëse kundër dy raketave anti-anije të rebelëve Houthi të mërkurën në mëngjes, përderisa ato po përgatiteshin për t’u hedhur kundër anijeve në Detin e Kuq.