Gjermania e dënon me burgim të përjetshëm mjekun sirian për torturim të disidentëve - NACIONALE

Gjermania e dënon me burgim të përjetshëm mjekun sirian për torturim të disidentëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë gjermane të hënën shpalli fajtor një mjek sirian për torturimin e disidentëve në Siri dhe e dënoi me burgim të përjetshëm, sipas raportimeve të mediave lokale. Kjo është fitorja më e re e viktimave të regjimit të Assadit sipas rregullave të juridiksionit të përgjithshëm.

Mjeku 40-vjeçar, i cili ishte arrestuar në qershorin e vitit 2020, pesë vjet pasi kishte shkuar në Gjermani si pjesë e një grupi të madh të refugjatëve sirianë dhe pasi kishte filluar një jetë të re, raporton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Prokurorët gjermanë i kanë shfrytëzuar ligjet e juridiksionit të përgjithshëm që u lejojnë të kërkojnë gjykime ndaj të dyshuarve për krime kundër njerëzimit që janë kryer kudo në botë, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".

Ata kanë vënë në shënjestër disa ish-zyrtarë sirianë në raste të ngjashme viteve të fundit.

Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë Rajonale në Frankfurt, ku u gjykua rasti gjatë 186 seancave që zgjatën tre vjet e gjysmë, nuk mund të arrihej menjëherë për koment.

I pandehuri, i identifikuar si Alaa M., në përputhje me ligjet gjermane për privatësinë, akuzohej për torturimin e kundërshtarëve të ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, kur shërbente si mjek në një burg ushtarak dhe në spitale në Homs e Damask më 2011 e 2012.

Në gjykatë, mjeku i akuzuar ishte deklaruar i pafajshëm, duke thënë se ishte në shënjestër të një konspiracioni.

Paditësit u mbështetën nga Qendra Evropiane për të Drejta Kushtetuese dhe Njerëzore (ECCHR), e cila ka paraqitur raste të ngjashme në gjykata gjermane në të kaluarën.

Alaa M. Kishte arritur në Gjermani në vitin 2015 dhe kishte punuar si mjek, duke u bërë njëri nga rreth 10 mijë mjekët sirianë që kanë ndihmuar që ta lehtësojnë mungesën akute të stafit në sistemin shëndetësor të vendit.

Prokurorët e akuzuan atë me më shumë se dhjetë akuza për torturë si dhe për vrasjen e një të burgosuri. Ai gjithashtu është akuzuar për djegien dhe lëndimin e organeve gjenitale të të burgosurve në dy raste të ndryshme. Në një rast, ai akuzohej se kishte kryer një operacion për rregullimin e thyerjes së ashtit pa anestezionin e duhur./Nacionale

Lajme të ngjashme