Gjermania do të marrë pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën, thotë zv.kancelari
Gjermania do të marrë pjesë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën krahas partnerëve evropianë, por bisedimet për këtë çështje janë në fazë të hershme dhe duhet të formësohen nga Kievi, tha të hënën në kryeqytetin ukrainas zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil.
“Ajo që është me rëndësi është që, në fund, të ketë garanci të sigurisë që sigurojnë se Ukraina nuk sulmohet më dhe se Putini nuk guxon më ta sulmojë Ukrainën” – tha zyrtari i latë gjerman, i cili e mban edhe postin e ministrit të Financave, gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë.
Më tej, ministri gjerman tha se, për t’u arritur ky qëllim, ushtria ukrainase duhet të forcohet dhe prodhimi i armëve brenda Ukrainës duhet të shtohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Klingbeil tha se Gjermania do të “marrë përgjegjësi” në ofrimin e garancive të sigurisë, por se vendimet nuk duhet të merren “mbi kokat e ukrainasve” dhe se çfarëdo procesi negociator duhet të fillojë me armëpushim.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje për përfundim të shpejtë të luftës, por Kievi dhe aleatët e tij janë të shqetësuar se kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të bëjë të detyrueshme një marrëveshje sipas kushteve të Rusisë.
“Topi tani është në fushën e Vladimir Putinit” – tha zëvendëskancelari gjerman. “Unë beoj se ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë, sepse ende nuk po mund ta shoh Vladimir Putinin duke e ndërruar mendjen, duke u zbutur papritmas, papritmas duke dashur që të mbajë bisedime serioze, të qëndrueshme të paqes” – paralajmëroi ai.