Gjermania bën thirrje për trajtim të krizës globale të ushqimit
Ministrja gjermane e zhvillimit, Svenja Schulze, do të udhëtojë për në takimet e Bankës Botërore në Uashington me një mision të qartë: G7 dhe vendet donatore duhet të krijojnë një aleancë të sigurisë ushqimore për të trajtuar krizën globale të ushqimit, shkruan Euractiv.
Të mërkurën (20 prill), Schulze tha se dëshiron të arrijë "koordinim më të fortë të G7-ës dhe donatorëve të tjerë, dhe organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krizës ushqimore" në konferencën, e cila do të fillojë të enjten.
Propozimi tashmë i është paraqitur G7-ës, presidencën e së cilës e mban Gjermania. Tani, ministrja dëshiron të lobojë për mbështetje ndërkombëtare në Uashington.
Çmimet e ushqimeve kanë arritur nivele rekord që kur shpërtheu lufta në Ukrainë, vend ky i cili është njëri ndër eksportuesit më të rëndësishëm të grurit në botë dhe furnizues kryesor i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së. Vendet e varura nga eksporti në Azi dhe Afrikë janë goditur më rëndë.
“Ne po e ndiejmë këtë në Gjermani, në kuletat tona, por në pjesë të tjera të botës tani është çështje sigurimi i mjeteve të jetesës”, shtoi ministrja socialdemokrate.
Sipas propozimit të Schulze, aleanca globale duhet të ndihmojë në koordinimin e ofertave të ndihmës nga vendet donatore dhe t'i përshtatë ato nevojave të atyre që janë prekur nga kriza.
Tashmë ekziston një "gatishmëri e madhe për të ndihmuar" nga ana e shumë vendeve - Gjermania ka premtuar 430 milionë euro përveç buxhetit të planifikuar për zhvillim. Megjithatë, është "e rëndësishme për vendet në zhvillim që donatorët dhe organizatat të veprojnë shpejt dhe me largpamësi në një mënyrë të koordinuar," tha Schulze.
Mësime e nxjerrura nga COVAX
Megjithatë, strukturat administrative në vendet më pak të zhvilluara janë pothuajse inekzistente – që do të thotë se shpesh herë nuk është e mundur të koordinohet ndihma ndërmjet partnerëve të ndryshëm.
Në praktikë, aleanca e re do të modelohet sipas iniciativës ndërkombëtare COVAX, e cila u lançua gjatë pandemisë COVID-19 për të siguruar qasje të barabartë ndaj vaksinave në mbarë botën.
"Ajo çfarë mësuam, ne si një komunitet global tani duhet ta transferojmë në përpjekjen kundër krizës së ushqimit," tha Schulze, duke shtuar se aleanca duhet të jetë e hapur për qeveritë dhe organizatat kombëtare, si fondacionet dhe sektorin privat.
Ngjashëm me fushatën globale COVAX, ajo tha se platforma duhet gjithashtu të fokusohet në ndihmën afatshkurtër në furnizimin me ushqim dhe të mbështesë vendet e prekura në aspektin afat të gjatë në ndërtimin e kapaciteteve të tyretë prodhimit – në këtë rast, sistemet ushqimore.
Kështu, përtej zbutjes së krizës së tanishme të urisë, qëllimi është gjithashtu të "sigurojmë që të mos kemi kriza urie çdo vit, por të ndërtojmë struktura që janë më të qëndrueshme".
Mirëpo trajtimi i pandemisë COVID-19 nuk mund të shërbejë vetëm si model për ndërtimin e një aleance ndërkombëtare mbështetësish. Përvoja tregon gjithashtu se ku mund të pengohet vullneti ndërkombëtar për ofrimin e ndihmës: ashtu si me shpërndarjen e vaksinave, furnizimi global me ushqim po kërcënohet nga fakti që disa vende po grumbullojnë stoqe.
Luftimi i dezinformimit
“Ne e dimë se Kina aktualisht posedon gjysmën e stoqeve [të grurit] në botë,” tha Schulze. Tani është thelbësore të vazhdojë tregtia ndërkufitare dhe të shmanget ngrirja e eksporteve, shtoi ajo, pasi diskutimet në Evropë mbi ngrirje të tilla janë intensifikuar, me Hungarinë dhe Serbinë, për shembull, që kanë eksporte të kufizuara përkohësisht të grurit.
Përveç nismës për një aleancë globale, Schulze tha se do të vizitojë edhe Libanin dhe Etiopinë pas kthimit të saj nga Uashingtoni të dielën.
“Libani është pothuajse plotësisht i varur nga furnizimet e grurit ukrainas dhe është shumë i cenueshëm,” tha ajo. Në Etiopi, gjithashtu, tha ajo, lufta në Ukrainë po përkeqësonte një krizë tashmë ekzistuese të urisë.
Në Addis Ababa, Schulze planifikon të vizitojë edhe selinë e Bashkimit Afrikan. Dialogu me qeveritë e Jugut global është veçanërisht i rëndësishëm "në këto kohë konfrontimi", theksoi ajo - gjithashtu për të kundërshtuar dezinformimin nga Rusia.
“Nëse pala tjetër përhap pretendimet se Perëndimi është fajtor për urinë me sanksionet e saj, atëherë ne duhet ta kundërshtojmë këtë dhe të themi qartë në dialog të drejtpërdrejtë: fajin e ka lufta e agresionit të Rusisë”, tha Schulze.