Gjermania arreston dy gjermano-rusë, dyshohen për komplot sulmesh ndaj bazave amerikane - NACIONALE

Gjermania arreston dy gjermano-rusë, dyshohen për komplot sulmesh ndaj bazave amerikane

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dy shtetas gjermano-rusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimin se po planifikonin sulme sabotazhi, në cakun e të cilave do të kishte edhe objekte ushtarake të ShBA-së e me qëllim të minimit të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, thanë të enjten prokurorët gjermanë.

Autoritetet kanë zhvilluar kërkime në shtëpitë dhe vendet e punës të dy të dyshuarve, të cilët akuzohen se kanë punuar për një shërbim sekret të huaj, thuhet në një deklaratë të zyrës së prokurorit, raporton agjencia “Reuters”.

Njëri nga të dyshuarit, i identifikuar si Dieter S., që nga tetori i vitit të kaluar kishte diskutuar komplote të mundshme me një person të lidhur me shërbimin sekret rus, thuhet më tej në deklaratë.

Dieter S. kishte qenë i përgatitur për të kryer sulme me bomba e zjarrvënie ndaj objekteve ushtarake, përfshirë ato që operohen nga forcat amerikane, tha prokuroria gjermane.

Sipas revistës “Der Spiegel”, në mesin e qendrave të shënjestruara ishte baza ushtarake “Grafenwoehr” në Bavari, ku ushtarët ukrainas marrin trajnime për përdorimin e tankeve amerikane të tipit “Abrams”.

Ambasada ruse në Berlin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

“Veprimet kishin për qëllim në veçanti që ta minonin përkrahjen ushtarake të ofruar nga Gjermania për Ukrainën kundër luftës ruse të agresionit” – thuhet në deklaratën e prokurorëve gjermanë.

Lajme të ngjashme