Gjendet i vdekur në hotel atleti 27-vjeçar norvegjez, Guttorm Bakken
Atleti norvegjez, Sivert Guttorm Bakken, ka vdekur në moshën 27-vjeçare, konfirmoi të martën Unioni Ndërkombëtar i Biatlonit.
Mediat lokale raportuan se Bakken u gjet i vdekur në dhomën e një hoteli në Lavaze, në Alpet Italiane, ku ishte duke marrë pjesë në një kamp trajnimi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai e kishte shënuar fitoren e parë dhe të vetme individuale në Kupën e Botës në Biatlon [sport që e kombinon skijimin me qitjen] në vitin 2022 dhe po garonte për një vend në ekipin norvegjez për Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në shkurt.
Bakken kishte problem me miokarditisin në vitin 2022 dhe ishte rikthyer në gara vitin e kaluar.
“Rikthimi i Sivertit në biathlon pas një periudhe të vështirësisë së madhe ishte burim i gëzimit të pamasë për secilin në familjen e biatlonit dhe demonstrim frymëzues i qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së tij” – tha në një deklaratë kryetari i Unionit Ndërkombëtar të Biatlonit, Olle Dahlin.
“Vdekja e tij në një moshë kaq të re është e pamundshme për t’u kuptuar, por ai nuk do të harrohet dhe gjithmonë do të mbetet në zemrat tona” – shtoi ai.