Gjendet i vdekur amerikani që ishte futur në motorin e aeroplanit ndezur - NACIONALE

Gjendet i vdekur amerikani që ishte futur në motorin e aeroplanit ndezur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë u gjet i vdekur brenda motorit të një aeroplani të hënën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Qytetit Salt Lake të ShBA-së, pasi policia tha se ai e kishte thyer derën e daljes urgjente, kishte ecur nëpër pistë dhe kishte kërcyer te motori i aeroplanit.

Policët e gjetën 30-vjeçarin Kyler Efinger pa vetëdije brenda një motori të vendosur në krahun e një aeroplani komercial të mbushur me pasagjerë, tha të martën Departamenti i Policisë në qytetin Salt Lake. Aeroplani ndodhej në zonën për largimin e akullit dhe motorët e tij ishin duke kryer rrotullime, raporton agjencia “Associated Press”.

Sipas policisë, i riu ishte pasagjerë që kishte biletë udhëtimi dhe po planifikonte që të udhëtonte drejt Denverit të ShBA-së.

Menaxheri i një dyqani brenda aeroportit kishte raportuar për një çrregullim pak para orës 22, duke u thënë dispeçerëve në Qendrën e Kontrollit se kishte parë një pasagjer duke kaluar nëpër një dalje urgjente. Oficerët shpejt i gjetën rrobat, këpucët dhe gjërat e tjera personale të të riut në njërën nga pistat.

Ekipi i shpëtimit e tërhoqi Efingerin nga shtresa e motorit për marrjen e ajrit, e cila e drejton rrjedhën e ajrit drejt fuzës së motorit. Punëtorët bënë përpjekje për ta shpëtuar këtë person me masa urgjente e duke përdorur një substancë që e lufton mbidozën e opioidëve dhe e kthen frymëmarrjen normale. Megjithatë, ai u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes.

Pasagjerët u larguan nga aeroplani, kur te motori u gjet trupi i të riut, por operimet e përgjithshme të aeroportit nuk u penguan, tha policia. Një hetim fillestar tregon se burri kishte siguruar qasje në zonën e ngarkimit të aeroplanëve përmes një daljeje urgjente dhe kishte kërcyer te motori.

Një zëdhënës i aeroportit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment rreth këtij rasti, raporton AP-ja, shkruan "Nacionale".

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme