Gjatë kërkimit të dy adoleshenteve të zhdukura, gjenden shtatë trupa në ShBA
Autoritetet që ishin duke kërkuar dy adoleshente të zhdukura në një pronë rurale në Oklahoma të ShBA-së gjetën shtatë trupa të hënën, përfshirë mbetjet e dy adoleshenteve dhe të një sulmuesi seksual, i cili ishte duke u kërkuar, njoftoi policia lokale.
Komandanti i policisë, Eddy Rice, tha se ekzaminuesi mjekësor shtetëror duhet t’i vërtetojë identitetet e viktimave, por shtoi: “Ne besojmë se i kemi gjetur personat”. Ai tha se besohet që në mesin e trupave janë edhe ata të 14-vjeçares Ivy Webster dhe të 16-vjeçares Brittany Brewer si dhe të burrit të quajtur Jesse McFadden, për të cilin autoritetet kishin thënë se ishte duke udhëtuar me to, raporton agjencia “Associated Press”.
“Nuk jemi duke kërkuar më. Ne besojmë se kemi gjetur gjithçka që ishim duke kërkuar këtë mëngjes. Zemrat tona janë me familjet dhe miqtë, shokët e shoqet e klasës dhe me të gjithë të tjerët”- shtoi zyrtari policor. Ai refuzoi që të jepte hollësi për mënyrën e vdekjes së këtyre personave.
Trupat u gjetën gjatë një operacioni kërkimi afër qytezës Henryetta, vendbanim me rreth gjashtë mijë banorë që shtrihet rreth 150 kilometra në lindje të qytetit Oklahoma, tha zëdhënësi i Byrosë Shtetërore të Hetimeve, Gerald Davidson.
Sipas dokumenteve të gjykatës, McFadden pritej të paraqitej në gjykatë të hënën për fillimin e gjykimit nën akuzat për kërkim të sjelljes seksuale me të mitur dhe posedim të pornografisë me fëmijë.
Babai i adoleshentes Brewer i tha një televizioni lokal se njëri nga trupat e gjetur është i vajzës së tij. Ai tha se vajza e tij aspironte që të bëhej mësuese ose veterinere. “Jam thjesht i humbur”- tha babai i pikëlluar.
