Gjashtë të vdekur e 14 të zhdukur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari në Indonezi - NACIONALE

Gjashtë të vdekur e 14 të zhdukur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari në Indonezi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Reshjet e dendura të shiut i detyruan autoritetet të hënën që ta ndërprisnin kërkimin për 14 persona të zhdukur në rajonin më lindor të Indonezisë, Papua, pasi gjashtë punëtorë mbetën të vdekur nga rrëshqitja e dheut në një minierë ari. Katër të tjerë u lënduan, thanë zyrtarët.

Shiu e kishte shkaktuar rrëshiqjen e dheut të premten, kur u godit një minierë e vogël që menaxhohet nga banorët e maleve Arfak të provincës së Papuas Perëndimore, tha Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Autoritetet do ta rinisin të martën operacionin e kërkimit të personave të zhdukur pas fatkeqësisë, me ç’rast u mbuluan strehimoret e përkohshme që përdoreshin nga minatorët.

Përpjekjet për kërkim u penguan nga “rrugët e dëmtuara dhe shtigjet malore si dhe nga moti i lig” – tha Yefri Sabaruddin, drejtor i një ekipi prej 40 punëtorësh shpëtimi, përfshirë zyrtarë policorë e ushtarakë. Ky grup ka tërhequr pesë trupa.

Ai shtoi se vetëm për udhëtimin deri në vendin e ngjarjes nga qyteza më e afërt u nevojitën 12 orë.

Fillimisht, autoritetet kishin raportuar për një person të vdekur e 19 të tjerë të zhdukur, por shifrat u përditësuan më vonë.

Mihja e paligjshme e nivelit të ulët shpesh ka çuar në aksidente në Indonezi, ku burimet minerare ndodhen në zona të largëta e me kushte të cilat autoritetet e kanë vështirë t’i rregullojnë.

Të paktën 15 njerëz vdiqën nga shembja e një miniere të paligjshme të arit në provincën e Sumatras Perëndimore shtatorin e kaluar, pas rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga shiu i dendur.

Lajme të ngjashme