GHF-ja e mbështetur nga ShBA-ja mbyll të gjitha pikat e ndihmave në Gaza pas të shtënave
Një grup i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, që e kishte filluar shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza, tha të premten se të gjitha pikat e tij të shpërndarjes janë mbyllur deri në një njoftim të ri, duke u bërë thirrje banorëve që të qëndronin larg qendrave “për sigurinë e tyre” pas disa rasteve me të shtëna vdekjeprurëse.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili javën e kaluar e nisi shpërndarjen e shujtave ushqimore te palestinezët e uritur Brenda enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta, tha se data e rihapjes së qendrave të shpërndarjes do të publikohet më vonë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
GHF-ja hapi dy qendra në jug të Gazës të enjten, pasi i kishte mbyllur të gjitha pikat një ditë më parë pas të shtënave afër qendrave të saj. Deri më tani, grupi ka operuar në katër pika të shpërndarjes së ndihmave.
GHF-ja e ndërpreu shpërndarjen e ndihmave të mërkurën dhe tha se po kërkonte nga forcat izraelite që ta përmirësonin sigurinë civile përtej perimetrit të operacioneve të saj, pasi dhjetëra palestinezë u qëlluan për vdekje afër qendrës së këtij grupi në Rafah gjatë tri ditëve rresht.
Ushtria izraelite tha të dielën dhe të hënën se ushtarët e saj kishin shkrepur të shtëna paralajmëruese. Të martën, sipas ushtrisë, forcat gjithashtu shkrepën të shtëna paralajmëruese para se të qëllonin me armë në drejtim të disa palestinezëve për të cilët tha se po avanconin drejt ushtarëve. GHF-ja ka thënë se ndihmat e saj janë shpërndarë në mënyrë të sigurt në pikat e shpërndarjes, pa ndonjë incident.
Izraeli e ka ashpërsuar ofensivën kundër Hamasit që nga thyerja e armëpushimit dymujor në mars në luftën e nxitur nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023./Nacionale