Gati 500 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban
Të paktën 492 njerëz janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite që kishin në shënjestër zona të Hezbollahut në Liban, raportoi Ministria e Shëndetësisë. Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e konfliktit në gati dy dekada.
Mijëra familje gjithashtu u larguan nga shtëpitë e tyre, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte goditur 1.600 caqe të Hezbollahut në një operacion për ta shkatërruar infrastrukturën që grupi i armatosur e ka ndërtuar nga lufta e vitit 2006, raporton televizioni BBC.
Në anën tjetër, Hezbollahu hodhi më shumë se 200 raketa drejt veriut të Izraelit, sipas ushtrisë izraelite. Ekipet mjekësore thanë se dy persona u lënduan nga copëzat e predhave.
Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për përmbajtje, pasi të dyja palët duket se po i afrohen një lufte të plotë.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 35 fëmijë e 58 gra ishin në mesin e të vdekurve, ndërsa 1.645 persona të tjerë janë lënduar. Kjo ministri nuk raportoi se sa prej viktimave ishin civile ose luftëtarë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu alarm për eskalimin e situatës dhe tha se ai nuk dëshiron që Libani “të bëhet një Gazë tjetër”.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “eskalimi është tepër i rrezikshëm dhe shqetësues” para një takimi të udhëheqësve botërorë në OKB në Nju-Jork.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendi i tij ishte “duke punuar për të de-eskaluar në një mënyrë që i lejon njerëzit të kthehen në shtëpi në mënyrë të sigurt”, ndërsa Pentagoni njoftoi se do të dërgonte “një numër të vogël” të trupave shtesë në Lindje të Mesme “nga bollëku i kujdesit”.
Hezbollahu ka thënë se është duke vepruar në përkrahje të Hamasit dhe se nuk do të ndalet derisa të arrihet një armëpushim në Gaza. Të dyja grupet përkrahen nga Irani dhe cilësohen si terroriste nga Britania e Madhe dhe shtete të tjera.