Gati 100 të vdekur nga reshjet dhe vërshimet në Ruandë
Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë nxitur rrëshqitje dheu në pjesën perëndimore të Ruandës, kanë shkaktuar të paktën 95 viktima, tha të mërkurën një zyrtar i lartë qeveritar, përderisa autoritetet po kërkojnë njerëz të tjerë të ngujuar në shtëpitë e tyre.
“Prioriteti ynë kryesor tani është që të arrijmë te secila shtëpi që është dëmtuar për t’u siguruar që mund ta shpëtojmë secilin person që mund të jetë ngujuar”- tha François Habitegeko, guvernator i Provincës Perëndimore, duke shtuar se 95 njerëz kanë vdekur, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas tij, disa njerëz janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital, por nuk e tregoi numrin.
Distriktet më të prekura në Provincën Perëndimore janë Rutsiro me 26 të vdekur, Nyabihu me 19, ndërsa nga 18 në Rubavu dhe Ngororero, shtoi ai.
Habitegeko tha se reshjet filluan rreth orës 18 të martën dhe se lumi “Sebeya” ka dalë nga shtrati.
“Toka tashmë ishte e njomur nga reshjet e ditëve të kaluara, të cilat shkaktuan rrëshqitje dheu që mbyllën rrugë”- tha ai.
Agjencia e Meteorologjisë e Ruandës ka parashikuar reshje mbi nivelin mesatar gjatë muajit maj për këtë shtet.