Garë e fortë në fshatin italian me 46 banorë, nëna e kryetarit bëhet me rivalin e tij - NACIONALE

Garë e fortë në fshatin italian me 46 banorë, nëna e kryetarit bëhet me rivalin e tij

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Herën e fundit kur Igor De Santis kishte garuar për kryetar në Ingria, fshat i vogël i rrethuar me pyje afër Torinos, ai kishte shënuar fitore të lehtë. Megjithatë, ai ballafaqohet me një sfidë të vështirë gjatë synimit për mandatin e katërt, pasi nëna e tij iu bashkua një kampi rival.

Ingria, njëri nga fshatrat më të vogla në Itali, ka 46 banorë. 26 persona të tjerë, që janë regjistruar për të votuar nga shtete të tjera, e përbëjnë elektoratin, raporton gazeta “The Guardian”.

De Santis, 42 vjeç, e ka udhëhequr vendbanimin nga viti 2009 dhe kishte pritur konkurrencë në garë nga një asamblist opozitar, 70-vjeçari Renato Poletto. Gjendja u ndërlikua, kur Stefano Venuti, banor i Milanos që ka një shtëpi të dytë në Ingria, u bë gjithashtu pjesë e garës. “Nuk po e prisnim këtë” – tha De Santis.

Situata “eskaloi”, pasi Poletto njoftoi se e kishte siguruar përkrahjen e nënës së De Santisit, Milena Crosasso, dhe e prezantoi atë si kandidate për asambliste si pjesë e një liste me nëntë gra e një burrë. Në përgjithësi, 30 persona – ose rreth dy të tretat e popullsisë së fshatit – tani janë në garë për poste publike.

“I kërkova [nënës sime] që të më bashkohej muaj, por pasi pa se lista e Polettos ishte kryesisht me gra, ajo vendosi që të shkonte me ta. Ata të gjithë janë vullnetarë që kanë punuar vërtet shumë për fshatin” – tha Desantis.

Zonja Crosasso tha se rivaliteti politik nuk do ta prekë harmoninë familjare. “Edhe biri im, edhe unë e duam më të mirën për komunitetin dhe kjo është një mundësi për t’u dhënë zë pikëpamjeve të grave pa i dobësuar lidhjet familjare” – tha ajo.

Ingria ballafaqohet me probleme të ngjashme si të fshatrave të tjera malore, si shpopullimi, shërbimet e pamjaftueshme dhe sfidat me borën gjatë dimrit.

Nga viti 2022, kur ishte zgjedhur në mesin e fshatrave më të bukura të Italisë, Ingria është ballafaquar edhe me rritje të numrit të turistëve.

“Ka ndodhur një rritje e pabesueshme dhe ne duhet ta menaxhojmë këtë. Ka pak banorë, por shumë shtëpi të dyta. Qëllimi ynë kryesor është që ta ruajmë bukurinë e Ingrias” – tha kryetari De Santis.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme