Gallanti thotë se sulmi ndaj Iranit do të jetë vdekjeprurës dhe i befasishëm - NACIONALE

Gallanti thotë se sulmi ndaj Iranit do të jetë vdekjeprurës dhe i befasishëm

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, paralajmëroi të mërkurën se hakmarrja e vendit të tij ndaj sulmit iranian me raketa do të jetë “vdekjeprurëse” dhe “e befasishme”, përderisa forcat izraelite i vazhduan operacionin e gjerë në veri të Gazës dhe ofensivën tokësore në Liban kundër Hezbollahut.

“Sulmi ynë do të jetë vdekjeprurës, preciz dhe, mbi të gjitha, i befasishëm. Ata nuk do të kuptojnë se çfarë ndodhi dhe si. Ata do t’i shohin rezultatet. Kushdo që na sulmon, do të lëndohet dhe do të paguajë një çmim” – tha ministri izraelit gjatë një fjalimi para trupave.

Irani hodhi dhjetëra raketa drejt Izraelit më 1 tetor. Shtetet e Bashkuara ofruan ndihmë për t’i penguar ato. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk do të përkrahte një sulm hakmarrës ndaj qendrave që lidhen me programin bërthamor të Iranit.

Në frontin diplomatik, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Bideni e zhvilluan telefonatën e tyre të parë në disa javë. Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë tha se në bisedë u përfshinë diskutime për shqyrtimet e Izraelit se si do t’i kundërpërgjigjet sulmit të Iranit, raporton agjencia “Associated Press”.

Në veri të Gazës, pati luftime të ashpra në Jabaliya, kamp urban i refugjatëve që daton nga lufta e vitit 1948, ku forcat izraelite kanë kryer disa operacione domethënëse gjatë luftës dhe pastaj janë rikthyer për shkak të rigrupimit të militantëve. Tërë pjesa veriore, përfshirë Qytetin Gaza, ka pësuar shkatërrim të rëndë dhe ka qenë kryesisht e izoluar nga forcat izraelite që nga pjesa e fundit e vitit të kaluar.

Në Gaza, banorët e kampit Jabaliua thanë se mijëra njerëz ishin ngujuar në shtëpitë e tyre që nga fillimi i operacionit të dielën, përderisa dronët e aeroplanët izraelitë po sillen mbi kokat e tyre, ndërsa trupat po luftojnë me militantët rrugëve.

“Është si ferr. Nuk mund të dalim” – tha Mohamed Aëda, që jeton me prindërit e tij dhe gjashtë fëmijët. Ai tha se tre trupa ndodhen në rrugë, afër shtëpisë së tij, por nuk ka qenë e mundshme që kufomat të tërhiqen për shkak të luftimeve./Nacionale

Lajme të ngjashme