Fushatë 50-milionëshe me spote kundër Trumpit para debatit të parë - NACIONALE

Fushatë 50-milionëshe me spote kundër Trumpit para debatit të parë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e fushatës së presidentit amerikan, Joe Biden, thanë të hënën se do të shpenzojnë 50 milionë dollarë deri në fund të qershorit për një grup të ri reklamash që do të përfshijnë përpjekje për ta vënë në pah dënimin e republikanit Donald Trump për një vepër penale nga një gjykatë në ShBA.

Reklamat e kushtueshme vjen kur dita e zgjedhjeve është ende mbi katër muaj e gjysmë larg, por zyrtarët e fushatës së Bidenit thonë se duan që ta përcaktojnë më qartë zgjedhjen mes dy kandidatëve para debatit të parë mes tyre në Atlanta më 27 qershor, raporton agjencia “Associated Press”.

Një pjesë qendrore e strategjisë së fushatës së Bidenit janë vënia në pah e propozimeve të Trumpit me ndikim të gjerë në mandatin e dytë dhe nxitja e votuesve të pakënaqur demokratë dhe votuesve të pavarur.

Përgatitja e një fushate që mbështetet shumë në dënimin e Trumpit dhe përfshirja e saj në një investim kaq të madh reklamues tregon një përpjekje të përtërirë që problemet ligjore të Trumpit të bëhen çështje e zgjedhjeve në mënyra të cilave zyrtarët e fushatës së Bidenit më parë u kishin rezistuar.

Në fushatën e re përfshihen më shumë se një milion dollarë për media që përçojnë porosi te votuesit amerikanë me ngjyrë, me prejardhje nga vendet latine dhe aziatike dhe një reklamë që e vë në pah dënimin e Trumpit për 34 pika të aktakuzës në rastin me dhënie të ryshfetit në Nju-Jork. Ky spot do të transmetohet në televizione dhe telefona në shtete kyçe si dhe në frekuenca kombëtare.

Përpos dënimit ndaj Trumpit, në reklamën e titulluar “Karakteri peshon” theksohet edhe që ish-presidenti është shpallur përgjegjës edhe për sulm seksual dhe mashtrim financiar në procese të ndara gjyqësore.

“Këto zgjedhje janë mes një krimineli të dënuar, që është në garë vetëm për veten, dhe një presidenti që po lufton për familjen tënde” – thotë një zë në reklamë, përderisa shfaqen pamje të Trumpit me fotografi burgu dhe Bideni duke i përshëndetur mbështetësit.

Zyrtarët e fushatës së Trumpit nuk iu përgjigjën një kërkese për koment të dielën në mbrëmje, por Trumpi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe ka argumentuar pa paraqitur dëshmi se Bideni ose zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë e kishin orkestruar rastin kundër tij në Nju-Jork për arsye politike.

Trumpi dhe aleatët e tij e kanë përmendur mundësinë për t’i ndjekur penalisht kundërshtarët politikë si hakmarrje, nëse ai rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Lajme të ngjashme