Fushata e Trumpit e akuzon partinë e kryeministrit britanik për ndërhyrje “flagrante” në zgjedhje
Fushata e kandidatit republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, e ka akuzuar Partinë Laburiste të kryeministrit britanik, Keir Starmer, për “ndërhyrje të huaj flagrante” në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pasi vullnetarët e kësaj partie udhëtuan për në ShBA për të dhënë ndihmë në fushatën e rivales së Trumpit, demokrates Kamala Harris.
Zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë paraqitur ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve në Uashington, duke bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm për ato që i quajtën “kontribute në dukje ilegale kombëtare e të huaja të bëra nga Partia Laburiste e Mbretërisë së Bashkuar dhe të pranuara nga [fushata] Harrisi për Presidente”, raporton agjencia “Reuters”.
Në ankesë përmenden raportime të mediave dhe një postim tashmë i fshirë në rrjetin “LinkedIn” nga Sofia Patel, drejtoreshë e operacioneve në Partinë Laburiste të Britanisë, e cila shkroi se “gati 100” pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të stafit të Partisë Laburiste do të udhëtonin për në ShBA në javët e ardhshme për ta ndihmuar zgjedhjen e Harrisit presidente.
“Ata që janë në kërkim të ndërhyrjes së huaj në zgjedhjet tona nuk kanë nevojë që të shikojnë më larg se postimi në “LinkedIn”. Ndërhyrja është duke ndodhur haptazi” – thuhet në ankesë.
Partia Laburiste e Britanisë, që me politika i përket qendrës së majtë, e sheh Partinë Demokratike të ShBA-së si parti simotër. Laburistët erdhën në pushtet në Britani në korrik. Kryeministri Starmer nga ajo kohë është përpjekur që të ndërtojë lidhje me Trumpit, duke u takuar me të në Kullën “Trump” gjatë një vizite në Nju-Jork në shtator.
Gjatë një udhëtimi me aeroplan për në Samoa, kryeministri britanik iu tha gazetarëve se ai nuk pret që kjo ankesë t’i tensionojë marrëdhëniet me Trumpin, nëse republikani i fiton zgjedhjet e 5 nëntorit, duke shtuar se vullnetarët laburistë kishin shkuar në ShBA në pothuajse secilat zgjedhje.
“Ata po e bëjnë këtë në kohën e lirë, po e bëjnë si vullnetarë, mendoj se po qëndrojnë me vullnetarë të tjerë atje. Kjo është ajo që ne e kemi bërë në zgjedhje të kaluara, kjo është ajo që ata po e bëjnë në këto zgjedhje dhe kjo është vërtet e sinqertë” – deklaroi ai.