Fuqitë e huaja po rekrutojnë suedezë për të kryer sulme në Suedi, thotë policia
Fuqi të huaja po shfrytëzojnë aplikacione të rrjeteve sociale për të rekrutuar banda suedeze e madje edhe fëmijë për të kryer sulme të dhunshme kundër caqeve si ambasada izraelite, tha të martën drejtoresha e policisë suedeze.
Petra Lundh, komisionere e Policisë Kombëtare, nuk saktësoi se për cilat fuqi të huaja bëhet fjalë, por vitin e kaluar shërbimi suedez i sigurisë tha se Qeveria e Iranit kishte qenë duke shfrytëzuar rrjete kriminale brenda Suedisë për të kryer sulme të dhunshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zonja Lundh tha se disa sulme që e kishin në shënjestër ambasadën izraelite më 2024 – përfshirë të shtënat dhe një bombardim në tentativë – ishin shembuj të sulmeve hibride, në të cilat përdoren mjete edhe të zakonshme, edhe jokonvencionale për të krijuar jostabilitet.
“Është një kundërshtar që nuk vesh uniformë dhe është një kërcënim që nuk mund ta arrijmë përmes metodave tradicionale ushtarake të mbrojtjes” – tha ajo.
Suedia është duke u ballafaquar me krimin nga bandat dhe viteve të fundit bandat kanë filluar që të shfrytëzojnë rrjete sociale si tregje digjitale për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme.
“Këta fëmijë në thelb shfrytëzohen si asete njëpërdorimëshe. Kemi fëmijë që, në vend se të shkojnë në shkollë, veprojnë si silurë dhe nganjëherë madje për fuqi të huaja në konflikte botërore” – tha më tej drejtoresha e policisë.
Qeveria e Suedisë nuk e ka përjashtuar ndalimin e aplikacioneve të rrjeteve sociale për fëmijët./Nacionale