Fuqia dhe paparashikueshmëria e Trumpit mund ta ndihmojnë përfundimin e luftës, thotë Zelensky - NACIONALE

Fuqia dhe paparashikueshmëria e Trumpit mund ta ndihmojnë përfundimin e luftës, thotë Zelensky

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është “i fortë dhe i paparashikueshëm” dhe këto cilësi mund të jenë faktor vendimtar në qasjen e tij politike ndaj pushtimit rus të Ukrainës, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, ai tha se nuk do të jetë e mundshme që t’i jepet fund brenda një dite luftës që ka nisur para gati tre vjetëve, siç ka pretenduar Trumpi gjatë fushatës zgjedhore presidenciale se mund ta arrijë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Faza e nxehtë e luftës mund të përfundojë goxha shpejt, nëse Trumpi është i fortë në pozicionin e tij” – tha Zelensky në një intervistë televizive ukrainase të enjten vonë, duke iu referuar luftimeve në fushën e betejës.

Trumpi, që do ta marrë pushtetin nga 20 janari, nuk ka dhënë hollësi publikisht rreth politikave të tij për Ukrainën, por në komente të mëhershme ka vënë një pikëpyetje për atë nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë mbështetëset më të mëdha ushtarake të Ukrainës.

Republikani i është përgjigjur në mënyrë të favorshme mundësisë së ngritur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për dërgimin e paqeruajtësve perëndimorë në Ukrainë për të mbikëqyrur një marrëveshje të mundshme që do t’u jepte fund luftimeve, tha Zelensky. Ai u takua me Trumpin dhe Macronin në Paris muajin e kaluar.

“Por unë ngrita një çështje, duke thënë thënë se nuk kemi dëgjuar se cilat shtete specifike do t’i bashkohen kësaj nisme dhe nëse ShBA-ja do të jetë aty” – shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky është i vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s. Vendet e aleancës thonë se Ukraina do t’u bashkohet një ditë në NATO, por jo para përfundimit të luftës.

“Dislokimi i trupave evropiane (për ta ruajtur paqen në Ukrainë) nuk duhet ta përjashtojë të ardhmen e Ukrainës në NATO” – tha presidenti ukrainas në intervistë.

Zelensky gjithashtu tha se ofensiva e forcave ukrainase në rajonin rus Kursk verën e kaluar u ka lënë mbresa shteteve në Azi, Amerikë Jugore e Afrikë dhe e ka njollosur reputacionin ushtarak të Rusisë./Nacionale

Lajme të ngjashme