Ftesa për të hyrë në NATO është pjesë e “planit të fitores” të Ukrainës, konfirmon Yermaku
Një ftesë për t’iu bashkuar NATO-s është pjesë e atij që Ukraina e quan “plan të fitores”, ka konfirmuar drejtori i Zyrës Presidenciale, Andriy Yermak.
“Ftesa e Ukrainës në NATO është pjesë e planit të fitores” – shkroi Yermaku në rrjetin “Telegram” të martën, raportong gazeta "The Guardian".
Gazeta ukrainase “Kyiv Independent” raporton se Ukraina do të kërkonte anëtarësim në NATO brenda disa muajve, jo viteve, edhe pse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Ukraina.
Yermaku tha se plani i Zelenskyt “përmban një vizion të qartë të hapave që duhet të bëhen për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, duke shtuar se në dokument përfshihen kushte diplomatike dhe ushtarake.
Ai tha se Ukraina duhet ta ketë përparësinë taktike në fushën e betejës në mënyrë që Moska ta ndalë luftën e saj. Pavarësisht nga ndërprerja e avancimeve ruse në “shumicën e drejtimeve”, Yermaku tha se forcave ukrainase ende u mungojnë burimet dhe teknologjia e mjaftueshme për të prodhuar “gjithçka që na duhet”.
Ukraina po u bën thirrje aleatëve që ta shtojnë dhe ta përshpejtojnë dërgimin e pakove me ndihma ushtarake, përfshirë dronët, raketat me rreze të gjatë veprimi e predhat e artilerisë.