FSB-ja ruse thotë se zbuloi komplote ukrainase për të vrarë oficerë të lartë e familjet e tyre - NACIONALE

FSB-ja ruse thotë se zbuloi komplote ukrainase për të vrarë oficerë të lartë e familjet e tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë tha të enjten se kishte zbuluar disa komplote të shërbimeve ukrainase të inteligjencës për të vrarë oficerë të lartë rusë dhe familjet e tyre në Moskë duke përdorur bomba të maskuara si bateri që njihen si “power banks” ose të fshehura në dosje dokumentesh.

Shërbimi ukrainas i inteligjencës, SBU, e vrau Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov-in, shef i Trupave Mbrojtëse Bërthamore, Biologjike dhe Kimike, më 17 dhjetor në Moskë, në hyrjen e bllokut banesor, duke aktivizuar një bombë të vendosur në një trotinet elektrik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një burim i SBU-së i konfirmoi agjencisë “Reuters” se kjo agjenci qëndron prapa vrasjes së Kirillovit. Rusia tha se vrasja e tij ishte sulm terrorist dhe është zotuar për hakmarrje.

“Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse ka parandaluar një varg vrasjesh në tentativë ndaj personelit ushtarak të rangut të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Katër qytetarë rusë të përfshirë në përgatitjen e këtyre sulmeve janë ndaluar” – tha FSB-ja.

Si pasardhëse kryesore e KGB-së së periudhës sovjetike, FSB-ja tha se qytetarët rusë ishin rekrutuar nga shërbimet ukrainase të inteligjencës.

Njëri nga burrat kishte një bombë të maskuar si bateri “power bank” në Moskë, që do të vendosej me magnet në veturën e njërit prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, tha FSB-ja.

Një burrë tjetër rus ishte ngarkuar me detyrën e zbulimit të zyrtarëve të lartë rusë të mbrojtjes. Një komplot e përfshinte dërgesën e bombës së maskuar si dosje dokumentesh, tha FSB-ja./Nacionale

Lajme të ngjashme