Frikë për qindra të zhdukur ose të vdekur në përpjekje për ta kapërcyer Mesdheun në mot të lig
Ka frikë se qindra njerëz janë zhdukur ose kanë vdekur pas përpjekjeve për ta kapërcyer Detin Mesdhe, pasi ka raportime për shumë raste të përmbysjeve të anijeve në dhjetë ditët e fundit për shkak të motit të lig, tha të hënën agjencia e migracionit e OKB-së.
“Numri përfundimtar [i viktimave] mund të jetë dukshëm më i lartë, përkujtues i qartë se kjo rrugë mbetet korridori më vdekjeprurës i imigrimit në botë” – tha Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tre njerëz, përfshirë dy vajza binjake rreth 1-vjeçare, u konfirmuan të vdekur në Lampedusa të Italisë, pas një operacioni të kërkim-shpëtimit për një barkë që ishte nisur nga Sfaxi i Tunizisë, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate. Ato vdiqën nga hipotermia, sipas nënës së tyre nga Guinea, e cila kishte mbijetuar. IOM-i tha se një burrë gjithashtu vdiq nga shkaktari i njëjtë.
IOM-i tha se të mbijetuar të tjerë nga barka e njëjtë thanë se një anije tjetër ishte nisur në të njëjtën kohë për lundrim, por kurrë nuk arriti në Itali dhe gjendja e saj mbetet e panjohur.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit – në kohën e një stuhie të fuqishme detare në Mesdhe, e nxitur nga cikloni “Harry” – disa barka besohet se janë zhdukur, duke lënë qindra njerëz në gjendje të panjohur, sipas IOM-it. Përpjekjet për kërkim janë penguar nga moti i lig.
Organizata është duke vërtetuar një raport të një të mbijetuari nga një barkë tjetër, i shpëtuar nga një anije komerciale afër Maltës, i cili e ka përshkruar përmbytjen e një anijeje ku të paktën 50 njerëz mund të jenë të zhdukur ose të vdekur. Në një rast tjetër, 51 njerëz ka frikë se kanë vdekur pas fundosjes së një barke afër Tobrukut të Libisë, tha IOM-i.
“Trafikimi i imigrantëve në barka të mbingarkuara e të papërshtatshme për lundrim është akt kriminal” – tha kjo organizatë./Nacionale