Frikë nga Rusia: Moldavia do të nënshkruajë pakt të mbrojtjes me Francën
Moldavia dhe Franca do të nënshkruajnë të enjten një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të Perëndimit për t’i fuqizuar kapacitetet e shtetit ish-sovjetik në kohën e atyre që këto shtete kanë frikë se janë përpjekje të shtuara nga Rusia për ta destabilizuar Moldavinë.
Moldavia, fqinje perëndimore e Ukrainës, ka buxhet të vogël të mbrojtjes dhe për një kohë të gjatë ka pasur raporte të tensionuara me Moskën, të cilat janë përkeqësuar, sepse Çisinau e përkrah Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
Rusia ka trupa dhe paqeruajtës në Transnistri, rajon separatist i Moldavisë që e ka mbajtur autonominë për tri dekada, me përkrahjen e Kremlinit.
Presidenca e Francës tha në një deklaratë të mërkurën se akordet për bashkëpunim në ekonomi dhe në mbrojtje do të nënshkruhen gjatë takimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, me homologen moldave, Maia Sandu, në Paris.
Ai do ta nënvizojë “përkrahjen për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Moldavisë, në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Të dyja vendet kishin arritur një pakt fillestar në shtator, me të cilin mbulohen trajnimi i personelit ushtarak, dialogu i rregullt për mbrojtje dhe shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës.
Në letrën e qëllimit gjithashtu thuhej se Parisi do t’i përkrahte përpjekjet e Çisinaut për të parë se si të zhvillohen kapacitetet e tij ushtarake, përfshirë blerjen e mundshme të kapaciteteve të mbrojtjes kundërajrore të ngjashme me sistemin “Mistral” të Francës.
Atë kohë, Moldavia kishte njoftuar se kishte blerë radar GM200 që ia mundësonte përmirësimin e vëzhgimit ajror për të zbuluar dhe përcjellë caqe që lëvizin në lartësi të ulët dhe të lartë.
Paralelisht me vizitën e Sandus, shtetet perëndimore do të zhvillojnë një audio-lidhje të organizuar nga Franca për ta diskutuar shtimin e përkrahjes për Ukrainën, por edhe për Moldavinë.
Transnistria kërkoi nga Rusia muajin e kaluar që ta ndihmojë ekonominë e saj për t’i qëndruar “presionit” moldav.