Frikë nga humbja? Macroni bën thirrje për bllok kundër partive ekstreme
Duke folur në një konferencë për gazetarë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se në zgjedhjet evropiane të së dielës qytetarët i kanë shprehur shqetësimet dhe vështirësitë e tyre dhe se tani nevojitet një përgjigje demokratike.
“Kthimi te populli sovran është, sipas mendimit tim, vendimi i vetëm republikan në këtë kontekst” – tha presidenti francez, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas tij, tani është një moment historik për Francën, duke shtuar se nga mbrëmja e së dielës, maskat kanë rënë, duke iu referuar njoftimit të kryetarit të republikanëve se ai mbështet një aleancë me të djathtën ekstreme.
“A mendojmë ne se [kryetari i Partisë Republikane] z. Ciotti – dhe republikanët që e ndjekin atë – i cili deri më tani shpjegonte se shumica në pushtet ishte shumë e shkujdesur dhe se na duhej që t’i frenonim shpenzimet publike më shpejt, do të qeverisnin në mënyrë efikase me Tubimin Kombëtar [të së djathtës ekstreme], programi i të cilit është vlerësuar në mënyrë të pavarur me kosto prej rreth 100 miliardë eurosh në vit për taksapaguesit tanë” – pyeti Macroni.
Duke i refuzuar rrymat ekstreme, presidenti francez tha se partia e tij mund të veprojë, duke argumentuar se ka nevojë për një dialog dhe reflektim për atë se si t’i shërbehet më së miri vendit.
“Ne duhet, në rend të parë dhe më e rëndësishmja, që të vazhdojmë pa pushim që të veprojmë për siguri më të madhe dhe vendosmëri dhe t’i zbatojmë ligjet që janë miratuar, si tekstet tona evropiane, për ta zvogëluar imigrimin ilegal” – shtoi ai.
Macroni bëri thirrje që socialdemokratët, të gjelbrit dhe kristiandemokratët të bashkohen për një pakt të qeverisjes.
Presidenti tha se dëshiron që “burra e gra me vullnet të mirë, që ishin në gjendje t’i thoshin “jo” ekstremit, të bëhen bashkë për të qenë të aftë të ndërtojnë një projekt të përbashkët”.
Ai u bëri thirrje “shumë prej bashkatdhetarëve dhe udhëheqësve tanë politikë që nuk e njohin veten në ethet ekstremiste” që “të ndërtojnë një projekt të ri… një koalicion për të qeverisur, një koalicion për të vepruar në shërbim të francezëve dhe për republikën”./Nacionale