Friedrich Merz, kandidat i bllokut CDU – CSU për kancelar të Gjermanisë
Dy kryetarët e konservatorëve të Gjermanisë janë pajtuar për ta nominuar udhëheqësin e CDU-së, Friedrich Merz, si kandidat për kancelar në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm, thanë të martën burime të këtyre partive.
Markus Soeder, drejtor i partisë bavareze simotër, CSU (Unioni Social-Kristian), nuk do të garojë, i thanë dy burime agjencisë “Reuters”.
Kjo ia hap rrugën 68-vjeçarit Merz, liberal i ekonomisë që e ka çuar partinë drejt së djathtës që nga marrja e kreut më 2022 pas largimit të ish-kancelares Angela Merkel. Në veçanti, ai ka bërë thirrje për vijë më të ashpër ndaj imigrantëve.
Merzi dhe Soederi mbajtën një konferencë të përbashkët për gazetarë, ku u dha lajmi se Merzi do të jetë kandidat i bllokut të partive tradicionale për kancelar të ekonomisë më të madhe në Evropë.
Konservatorët janë duke dalë të parët në anketa. Në disa sondazhe, ata madje po marrin më shumë përkrahje se mbështetja e kombinuar e tri partive – SPD-ja e kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë.
Një kandidat i mundshëm për nomimin e konservatorëve, Hendrik Wuest, tha të hënën se nuk do të garonte si kandidat konservator për kancelar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm./Nacionale