Francë: Protestat kundër rritjes së moshës së daljes në pension bëhen të dhunshme! - NACIONALE

Francë: Protestat kundër rritjes së moshës së daljes në pension bëhen të dhunshme!

1 vit më parë

nga NACIONALE

Protestuesit dhe policia në kryeqytetin francez, Paris, janë përplasur për të tretën natë rradhazi pasi mijëra protestues dolën në rrugë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për të rritur moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64, pa votim parlamentar, raporton agjencia, “Aljazeera”.

Trazirat në rritje, të kombinuara edhe me grumbullimin e mbeturinave në rrugët e Parisit pasi edhe punëtorët e mbeturinave u bashkuan në aksion, e kanë lënë Presidentin Emmanuel Macron me sfidën më të rëndë ndaj autoritetit të tij që nga të ashtuquajturat "Gilets Jaunes", ose protestat e “Jelekëve të Verdhë.”

“Macron, jep dorëheqje!” dhe "Macroni do të thyhet, ne do të fitojmë," brohoritën protestuesit në Place d'Italie në Parisin jugor.

Të shtunën mbrëma, autoritetet komunale ndaluan tubimet në pjesën qendrore të Parisit, në Place de la Concorde dhe pranë Champ-Elysees. Në po atë natë, u arrestuan 81 protestues. Ndërsa një natë më herët, të premten, u arrestuan 61.

Televizioni BFM tregoi imazhe të demonstratave në zhvillim në qytete si Compiegne në veri, Nantes në perëndim dhe Marseille në jug. Në Bordo, në jugperëndim, policia përdori edhe gaz lotsjellës kundër protestuesve që kishin ndezur zjarr.

Ariane Laget, 36 vjeç, ishte mes rreth 200 njerëzve që demonstruan në qytetin e vogël jugor të Lodeve. “Ne jemi të ngopur. Ndihemi sikur po na shkelin dhe askush nuk po na dëgjon”, tha ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Një aleancë e gjerë e sindikatave kryesore të Francës kanë deklaruar se ata do të vazhdojnë të mobilizohen në përpjekje për të detyruar një kthesë në ndryshimet e pensioneve. Një ditë greve mbarëkombëtare është planifikuar për të enjten.

"Reforma duhet të zbatohet, dhuna nuk mund të tolerohet," tha ministri i financave Bruno Le Maire për gazetën Le Parisien.

Reforma e Macron rrit moshën e pensionit me dy vjet. Nga 62 në 64, gjë që qeveria thotë se është thelbësore për të siguruar që sistemi të mos bankrotojë. Qeveria ka thënë se ndryshimi është i nevojshëm për të shmangur rrëshqitjen e sistemit në deficit dhe për ta sjellë Francën në linjë me fqinjët e saj evropianë, ku mosha ligjore e pensionit është zakonisht më e lartë.

Por kritikët thonë se ndryshimet janë të padrejta për njerëzit që fillojnë të punojnë në moshë të re në punë të vështira fizikisht dhe gratë që ndërpresin punën për të rritur fëmijët.

Laurent Berger, kreu i sindikatës së moderuar CFDT, tha se reforma e pensionit "duhet të tërhiqet". “Ne e dënojmë dhunën. Por shikoni zemërimin. Është shumë i fortë, edhe në radhët tona”, tha ai në radion RMC.

Lajme të ngjashme