Franca thotë se evropianët ia treguan ShBA-së çështjet e panegociueshme për paktin e paqes Ukrainë – Rusi - NACIONALE

Franca thotë se evropianët ia treguan ShBA-së çështjet e panegociueshme për paktin e paqes Ukrainë – Rusi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fuqitë evropiane u treguan Shteteve të Bashkuara javën e kaluar se cilat aspekte të një marrëveshjeje të mundshme të paqes mes Ukrainës e Rusisë do të ishin të panegociueshme për to, para një rundi të ri diskutimesh të mërkurën, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania i zhvilluan bisedimet e tyre të para të përbashkëta që nga ardhja e presidentit Donald Trump në pushtet të enjten në Paris, duke i ndarë pikëpamjet e tyre rreth mënyrave për t’i dhënë fund luftës që nisi para më shumë se tre vjetëve.

Zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, do të takohen përsëri në Londër të mërkurën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Objektivi i vetëm që na shqetëson ne është që t’i mbrojmë interesat franceze dhe sigurinë evropiane. Kjo është arsyeja që, përderisa ShBA-ja merr vendim që ta vendosë veten në një pozicion ndërmjetësues, ne i bëjmë ata që të dëgjojnë se cilat janë vijat tona të kuqe” – tha të martën kryediplomati francez, duke iu referuar çështjeve për të cilat udhëheqësin evropianë nuk do të ndryshonin qëndrim. Ai nuk dha hollësi.

Kur u pyet nëse mendon se është i besueshëm pohimi i presidentit amerikan se një marrëveshje e paqes mund të njoftohet këtë javë, Barrot tha se kjo varet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Mendoj se armëpushimi (i Pashkëve) të cilin ai (Putini) e dekretoi disi në mënyrë të befasishme ishte një operacion marketingu, operacion joshjeje me qëllim që presidenti Trump të mos mbetet pa durim” – shtoi ministri francez.

Pavarësisht nga shkeljet e përsëritura të armëpushimit, ai tha se të paktën kishte rënie të intensitetit në lidhje me sulmet me dronë e raketa me rreze të gjatë, gjë që ndoshta mund ta hapë derën për një armëpushim të mëtejmë./Nacionale

Lajme të ngjashme