Franca thotë se BE-ja do të heqë disa sanksione kundër Sirisë pas rënies së Assadit - NACIONALE

Franca thotë se BE-ja do të heqë disa sanksione kundër Sirisë pas rënies së Assadit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa sanksione të Bashkimit Evropian kundër Sirisë do të hiqen, tha të hënën ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot, si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të BE-së për ta ndihmuar stabilizimin e Damaskut pas rënies së presidentit Bashar al-Assad në dhjetor.

Ministrat e jashtëm të BE-së po e diskutonin çështjen në një takim në Bruksel të hënën. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se ajo shpreson që do të mund të arrihej një marrëveshje për lehtësimin e sanksioneve.

“Sa i përket Sirisë, ne do të vendosim sot për të hequr, për të pezulluar, sanksione të caktuara që vlenin ndaj sektorëve të energjisë dhe transportit dhe ndaj institucioneve financiare që ishin kyçe për stabilizimin financiar të vendit” – tha kryediplomati francez, Jean-Noel Barrot, me të arritur në takimin e BE-së në Bruksel.

Ai shtoi se Franca gjithashtu do të propozojë vendosje të sanksioneve ndaj zyrtarëve iranianë që janë përgjegjës për ndalimin e qytetarëve francezë në Iran.

“Unë do të njoftoj sot se ne do të propozojmë që ata që janë përgjegjës për këto ndalime arbitrare të sanksionohen nga Bashkimi Evropian në muajt e ardhshëm” – tha më tej ministri francez.

Assadi u rrëzua nga rebelët më 8 dhjetor, duke i dhënë fund luftës civile shkatërruese 13-vjeçare, e cila e kishte krijuar njërën nga krizat më të rënda me refugjatë në kohët moderne./Nacionale

Lajme të ngjashme