Franca i nderon viktimat në 10-vjetorin e sulmeve terroriste në Paris
Sulmet e bashkërenduara terroriste e shndërruan Parisin në një lumë gjaku para dhjetë vjetëve, me sulme armësh në kafene, shpërthime afër një stadium dhe me një masakër në koncertin “Bataclan”, duke lënë 132 të vdekur e qindra të lënduar.
Parisi do ta shënojë 10-vjetorin e këtyre sulmeve të enjten me një varg organizimesh të udhëhequra nga presidenti Emmanuel Macron dhe kryetarja e kryeqytetit, Anne Hidalgo, në secilën zonë të sulmeve, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kulla e Ajfelit do të ndriçohet me ngjyrat e flamurit francez pas rënies së errësirës. Federata Franceze e Futbollit do të mbajë një minutë heshtje në lojën kundër Ukrainës për kualifikimet e Botërorit në stadiumin “Parc des Princes”.
Më 13 nëntor 2015, ditë e premte, nëntë anëtarë të armatosur dhe bombardues vetëvrasës të ISIS-it sulmuan brenda disa minutave. Sulmuesit vetëvrasës e aktivizuan lëndën shpërthyese afër stadiumit “Stade de France”. Të armatosurit shkrepën plumba në pjesët e jashtme të kafeneve, ndërsa tre sulmues e kryen sulmin në “Bataclan” në orën 21 e 47 minuta, duke vrarë 90 njerëz. Dy të mbijetuar, të cilët më vonë kryen vetëvrasje, tashmë njihen si pjesë e viktimave.
Për të mbijetuarit, kjo datë i rihap plagët. “Përvjetori i 10-të është këtu dhe emocionet e tensioni janë kudo për ne, të mbijetuarit” – tha Arthur Denouveaux, i cili kishte arritur të ikte nga “Bataclan”-i dhe tani e drejton shoqatën “Jetë për Parisin”. “Kurrë nuk shërohesh plotësisht. Thjesht mëson të jetosh ndryshe” – shtoi ai.
Gjatë gjykimit të zhvilluar në vitet 2021 – 2022, rasti u përmbyll me dënim me burgim të përjetshëm pa të drejtë lehtësimi për Salah Abdeslam-in, sulmuesi i vetëm i mbijetuar, si dhe me dënime për 19 të tjerë./Nacionale