Franca e organizon takimin e dytë për Ukrainën, fton vende të tjera evropiane - NACIONALE

Franca e organizon takimin e dytë për Ukrainën, fton vende të tjera evropiane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Franca planifikon që të organizojë një takim të dytë për të diskutuar rreth Ukrainës dhe sigurisë evropiane të mërkurën, por kësaj radhe ka ftuar shtete që nuk ishin të pranishme më herët këtë javë si dhe Kanadanë, thanë të martën burimet diplomatike.

Dy burime thanë se shtetet që janë ftuar në këtë takim janë: Norvegjia, Kanadaja, Lituania, Estonia, Letonia, Republika Çeke, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika. Tre diplomatë thanë se formati i takimit do të jetë hibrid dhe se në të do të përfshihet edhe pjesëmarrja përmes video-lidhjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të hënën organizoi një takim urgjent me shtetet si Britania, Gjermania e Italia si dhe me përfaqësues të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

Kjo ishte pjesë e përpjekjeve për të vlerësuar se si mund të duken garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, si duhet të lëvizë Evropa më shpejt për t’i rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe si të lëvizet më shpejt në kohën kur administrata amerikane e ka përshpejtuar diplomacinë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare mes Ukrainës e Rusisë.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se disa shtete nuk ishin të kënaqura që takimi i së hënës ishte vetëm për udhëheqës të përzgjedhur dhe jo samit i plotë i Bashkimit Evropian.

Pallati Elize nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme