Franca e mbështet GjNP-në, pasi prokurori i saj kërkoi urdhërarrest për Netanyahun
Franca i mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) dhe “luftën kundër pandëshkueshmërisë”, tha Ministria e Jashtme pas kërkesës së prokurorit të kësaj gjykate për lëshimin e fletarrestimeve kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe të tjerëve nën dyshimet për krime lufte.
“Franca i mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në të gjitha situatat” – thuhet në një deklaratë që Ministria e Jashtme e lëshoi të hënën vonë, raporton agjencia “Reuters”.
Përderisa presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti “mizore” lëvizjen e prokurorit kundër zyrtarëve izraelitë, Ministria e Jashtme e Francës mori qëndrim tjetër.
Kjo ministri përsëri i dënoi “masakrat antisemite” të Hamasit më 7 tetor në Izrael, por gjithashtu i ritheksoi vërejtjet e saj për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare përmes pushtimit izraelit të Rripit të Gazës.
“Sa i përket Izraelit, do t’i përkasë dhomës së procedurës paraprake të gjykatës për të vendosur nëse do t’i lëshojë këto urdhërarreste, pas ekzaminimit të dëshmive të paraqitura nga prokurori” – tha Ministria e Jashtme e Francës.