Franca duhet ta ndjekë shembullin e Trumpit me Kolumbinë, thotë Le Peni - NACIONALE

Franca duhet ta ndjekë shembullin e Trumpit me Kolumbinë, thotë Le Peni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësja franceze e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, tha se Franca duhet ta ndjekë qëndrimin e ashpër të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj shteteve që nuk janë të gatshme për të pranuar persona të dëbuar, duke e përmendur presionin e tij ndaj Kolumbisë si model për raportin e Francës me Algjerinë.

Komentet e zonjës Le Pen, e cila sipas sondazheve do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, nëse i lejohet pjesëmarrja, tregojnë se si qëndrimi më i rreptë i Trumpit ndaj emigrantëve mund të ndikojë në politikat në Evropë. Edhe pse Trumpi nuk është i popullarizuar në Evropë, vitet me hyrje të emigrantëve e kanë lëvizur kontinentin drejt së djathtës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Edhe Franca ka lëvizur drejt së djathtës. Ministri konservator i Punëve të Brendshme, Bruno Retailleau, i cili i ka bërë çështje të vetat kryesore imigrantët dhe dhunën nga droga, është munduar që t’i bindë Algjerinë dhe Marokun për të pranuar më shumë të dëbuar nga Franca.

Në një intervistë televizive të transmetuar të mërkurën vonë, Le Peni tha se Franca duhet të jetë më agresive ndaj Algjerisë, duke e zbatuar strategjinë e Trumpit me Kolumbinë.

Trumpi kishte kërcënuar se do t’i vendoste taksa të rënda dhe sanksione Kolumbisë, nëse ky shtet nuk do t’i pranonte të dëbuarit. Kjo rezultoi në arritjen e një marrëveshjeje për ta shmangur luftën tregtare.

“Unë do ta bëja saktësisht atë që Donald Trumpi e bëri me Kolumbinë” – tha Le Peni, duke shtuar se do t’i bllokonte të gjitha transferet e parave për në Algjeri dhe do ta pezullonte lëshimin e vizave për algjerianët dhe për udhëheqësit e tyre politikë, nëse shteti afrikan do të refuzonte që të bashkëpunonte.

“Ka masa hakmarrëse që janë tërësisht të natyrshme. Pse po shfaqim ne një dobësi të tillë me shtetet që na pështyjnë në fytyrë mëngjes, mesditë e natë” – shtoi ajo.

Le Peni tha se ishte e impresionuar nga ditët e para të presidentit amerikan në pushtet.

“Ai bëri zotime dhe, në ditët e para, erdhi për t’i thënë popullit amerikan: Ju më zgjodhët mua për ta bërë këtë, do ta bëj këtë. Ka kaluar kohë e gjatë prej kur e kemi pasur këtë ndjenjë në Francë” – tha ajo./Nacionale

Lajme të ngjashme