Franca dënon me burgim të gjatë një ish-mjek për rolin e tij në gjenocidin e Ruandës
Ish-mjeku nga Ruanda, Sosthene Munyemana, është dënuar me 24 vite burgim nga një gjykatë franceze për përfshirjen e tij në gjenocidin kundër pakicës Tutsi në Ruandë më 1994.
Ish-gjinekologu 68-vjeçar të mërkurën u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit e pjesëmarrje në konspiracion për t’i përgatitur këto krime, raporton gazeta “The Guardian”.
Avokatët e tij thanë se klienti i tyre planifikon që ta apelojë vendimin e gjykatës.
Prokurori publik kishte kërkuar dënim me 30 vite burgim, duke argumentuar se “shuma totale” e zgjedhjeve të tij tregon “tipare të një gjenocidali”.
Munyemana ishte akuzuar për dhënie të ndihmës për hartimin e një letre në përkrahje të qeverisë së përkohshme të asaj kohe, që e kishte inkurajuar masakrimin e pakicës Tutsi.
Ai ishte akuzuar, gjithashtu, për ndihmë për vendosjen e bllokadave në rrugë për të rrethuar njerëz e mbajtje të tyre në kushte çnjerëzore në zyrat e qeverisë lokale para se të vriteshin në prefekturën jugore të Ruandës, Butare, ku ish-mjeku jetonte në atë kohë.
Gjatë gjykimit, Munyemana vazhdimisht i hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se kishte qenë pjesëtar i moderuar i grupit Hutu, që madje ishte munduar t’i “shpëtonte” pjesëtarët e grupit etnik Tutsi duke u ofruar “strehim” në zyrat e qeverisë lokale.
Në vitin 2011, një gjykatë franceze kishte ngritur akuza kundër babait të tre fëmijëve nën dyshimin për pjesëmarrje në gjenocidin e Ruandës më 1994.
Munyemana ishte i afërt me Jean Kambanda-n, kryeministër i qeverisë së përkohshme, që ishte themeluar pas rrëzimit me raketë të aeroplanit me të cilin po udhëtonte presidenti i atëhershëm i vendit, Juvenal Habyarimana.
Ky është gjyqi i gjashtë në Francë kundër një pjesëmarrësi të pretenduar në gjenocidin e Ruandës, gjatë të cilit ishin vrarë rreth 800 mijë njerëz, shumica pjesëtarë të komunitetit Tutsi, gjatë një periudhe 100-ditore, nga ushtarë të komunitetit Hutu dhe militantë ekstremistë, sipas shifrave të OKB-së.