Forcat paramilitare vrasin 40 njerëz në një kamp të të zhvendosurve në Sudan - NACIONALE

Forcat paramilitare vrasin 40 njerëz në një kamp të të zhvendosurve në Sudan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), forcë paramilitare që po lufton qe më shumë se dy vjet kundër ushtrisë sudaneze, nisën sulme të hënën në një kamp të personave të zhvendosur afër qytetit el-Fasher, kryeqytet i provincës së Darfurit Verior, duke vrarë 40 njerëz, thanë grupet lokale për të drejtat e njeriut.

Grupi “Dhomat e Reagimit Emergjent”, i cili punon në kampin e të zhvendosurve “Abu Shouk”, tha në një deklaratë se RSF-ja bastisi disa pjesë të kampit, duke vënë në shënjestër njerëz brenda shtëpive të tyre. Ky grup tha se, përpos të vrarëve, të paktën 19 njerëz të tjerë pësuan lëndime, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Kampi i të zhvendosurve “Abu Shouk”, ku janë duke banuar rreth 450 mijë njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, është sulmuar disa herë gjatë luftës. Ushtria sudaneze e ka nën kontroll qytetin el-Fasher, pavarësisht nga sulmet e shpeshta të RSF-së.

Komitetet e Rezistencës në el-Fasher i konfirmuan sulmet, duke thënë në rrjetin “Facebook” se skena “i pasquron shkeljet e tmerrshme që janë kryer kundër njerëzve të pafajshëm”. Komitetet e Rezistencës janë grup i qytetarëve lokalë nga komuniteti, ku përfshihen aktivistë për të drejtat e njeriut.

Laboratori i Hulumtimeve Njerëzore në Universitetin Yale publikoi pamje satelitore ku shiheshin 40 automjete të pranishme në kampin “Abu Shouk” të hënën. Në raportin e vet, ky laborator tha se kishte grumbulluar dhe analizuar fotografi e video ku gjoja “shfaqeshin të shtëna të RSF-së drejt njerëzve që po largoheshin zvarrë nga ta si dhe duke u përdorur fyerje etnike”.

Lufta civile në Sudan shpërtheu në prillin e vitit 2023 në kryeqytetin Khartoum para se të përhapej në mbarë vendin pas tensioneve të larta mes ushtrisë dhe RSF-së. Nga luftimet janë vrarë më shumë se 40 mijë njerëz, janë zhvendosur rreth 12 milionë dhe shumë prej tyre janë buzë vdekjes nga uria. “Abu Shouk”-u është njëri nga dy kampet me gjendje të rëndë urie, sipas punëtorëve humanitarë./Nacionale

Lajme të ngjashme