Forcat paramilitare në Sudan vranë 13 njerëz, shumica gra e fëmijë, thotë grupi i mjekëve
Forcat paramilitare famëkeqe të Sudanit sulmuan një grup njerëzish në një rrugë në rajonin Darfur të dielën, duke vrarë të paktën 13 prej tyre, shumica gra e fëmijë, tha një grup i profesionistëve shëndetësorë.
Ky është rasti më i ri i vrasjeve nga ato që njihen si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe ndodhi një ditë pasi ky grup sulmoi me predha një spital në qytetin e rrethuar, el-Fasher, në Darfurin Verior. Rruga ku ndodhi sulmi e lidh këtë qytet me qytezës Tweila, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Rrjeti i Mjekëve të Sudanit, grup i profesionistëve mjekësorë që e përcjell luftën civile në këtë shtet, tha se pesë fëmijë, katër gra dhe katër persona më të moshuar u vranë në sulm, duke pretenduar se rasti ishte i motivuar etnikisht.
Vrasja e këtyre njerëzve ishte “një episode tjetër në fushatën e vazhdueshme të spastrimit etnik dhe gjenocidit që po kryhen nga RSF-ja kundër civilëve të paarmatosur në Darfur” – tha grupi i mjekëve.
Të shtunën, RSF-ja sulmoi me predha një spital në el-Fasher, duke plagosur një punëtor shëndetësor e gjashtë pacientë, tha grupi i mjekëve. Në mesin e pacientëve të plagosur ishin një fëmijë e një grua shtatzënë.
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment rreth vrasjeve dhe sulmit ndaj spitalit.
Forcat paramilitare e kanë sulmuar qytetin el-Fasher për më shumë se një vit, ndërsa muajin e kaluar vendosën bllokadë të plotë përreth qindra mijëra njerëzve që banojnë atje.
Sudani u zhyt në kaos, kur tensionet e larta mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së u shndërruan në luftë të hapur në prillin e vitit 2023 në Khartoum dhe në pjesë të tjera të vendit./Nacionale