Forcat kurde e kundërshtojnë dorëzimin e burgjeve me xhihadistë te pushtetarët e rinj sirianë - NACIONALE

Forcat kurde e kundërshtojnë dorëzimin e burgjeve me xhihadistë te pushtetarët e rinj sirianë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat kurde që janë duke ruajtur luftëtarë të burgosur të ISIS-it në një burg në pjesën veriore të Sirisë thonë se e kundërshtojnë dorëzimin e këtij objekti te pushtetarët e rinj islamistë në Damask, përderisa po përgatiten për sulme nga grupi i linjës së ashpër dhe po i vëzhgojnë përpjekjet e tij për t’u rishfaqur.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara dhe që udhëhiqen nga kurdët, e kanë nën kontroll çerekun e Sirisë dhe thonë se ISIS-i tashmë ka bërë dy sulme në tentativë ndaj burgjeve në përpjekje për t’i liruar pjesëtarët e burgosur që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit më 8 dhjetor, përderisa grupi po mundohet që ta shfrytëzojë përmbysjen e pushtetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një burg në qytetin Hasakah, ku janë duke u mbajtur rreth 4.500 luftëtarë të ISIS-it, përfshirë shumë të huaj, një oficer kurd parashikoi se grupi i njohur si ISIS do të provojë përsëri.

“Kur regjimi sirian ra... ISIS-i konfiskoi shumë armë dhe ata do të organizohen përsëri për t’i sulmuar burgjet” – tha oficeri kurd.

Më tej, ai tha se nuk beson që autoritetet e udhëhequra nga kurdët do t’ia dorëzojnë burgjet administratës së re siriane.

“Ndarja e tij me qeverinë e re nuk do të jetë e pranueshme. Mbrojtja e këtij burgu është përgjegjësi vetëm e koalicionit dhe e SDF-së” – shtoi zyrtari kurd.

SDF-ja ka thënë se luftëtarët xhihadisë janë mundur që ta shfrytëzojnë gjendjen e brishtë të sigurisë në një pjesë të madhe të Sirisë. Oficeri kurd përmendi fotografi të luftëtarëve me flamurin e përdorur nga ISIS-i në uniformat e tyre në mesin e luftëtarëve që e kapën Damaskun muajin e kaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme