Forcat kufitare saudite akuzohen për vrasjen e "qindra emigrantëve etiopianë" - NACIONALE

Forcat kufitare saudite akuzohen për vrasjen e "qindra emigrantëve etiopianë"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e Arabisë Saudite po akuzohen për përdorin të forcës pa dallim kundër emigrantëve në kufijtë e këtij shteti. Ka raportime për të vdekur e të lënduar si dhe shumë rrëfime për përdhunim të grave.

Emigrantët etiopianë që janë munduar të hyjnë në Arabinë Saudite nga Jemeni fqinj në periudhën 2019 – 2024 i kanë thënë gazetës “The Guardian” se janë ballafaquar me zjarr të mitralozave dhe kanë parë trupa duke u kalbur në zonën kufitare.

“Unë personalisht pashë tre njerëz që vdiqën afër meje” – tha një etiopian, i cili ishte munduar të hynte natën në provincën Najran të Arabisë Saudite me dhjetëra të tjerë më 2022. “Njëra nga këmbët e mia u hodh në erë nga zjarri saudit. Kishte pjesë trupash të të lënduarve dhe të vdekur përreth meje” – shtoi ai.

Një emigrant tjetër tha se kishte pësuar plagë nga copëzat e predhave në këmbë dhe në shpinë. Një tjetër pretendoi se ka qenë dëshmitar i përdhunimit të tri grave etiopiane nga disa burra në uniforma të rojave kufitare saudite. Disa të tjerë folën për rrahje dhe sulme seksuale.

Një burrë tjetër, i cili ishte përpjekur ta kalonte kufirin në janarin e vitit 2023, tha: “Udhëtimi ishte posaçërisht tmerrues. Përgjatë rrugës, ne hasëm në shumë trupa që po dekompozoheshin dhe që ishin ngrënë nga kafshët. Rojat kufitare vazhduan që të hapnin zjarr drejt nesh, përderisa ne ecnim nëpër terrenin e vështirë.”

Plumbat goditën dy gra të reja, sipas tij. “Njëra u godit në gjoks dhe një tjetër u godit në shpinë dhe në qafë. Të dyja vajzat vdiqën menjëherë. Shumë emigrantë ranë nga një shkëmb, përderisa po mundoheshin të iknin. Të tjerë u kapën ose u lënduan nga zjarri i armëve. Nuk e kemi idenë se çfarë ndodhi me ta. Nuk dimë nëse dy vajzat madje janë varrosur” – shtoi ai.

Këto rrëfime i pasqyrojnë të gjeturat e një raporti të organizatës “Human Rights Watch” (HRW), të publikuar në gushtin e vitit 2023, në të cilin thuhet se rojat kufitare saudite vranë “qindra emigrantë e azilkërkues etiopianë” në kufirin jugor me Jemenin nga marsi i vitit 2022 deri në qershorin e vitit 2023 “në një model që është i përhapur e sistematik” duke përdorur pushkë e armë shpërthyese. Kjo organizatë kishte konkluduar se veprimet e rojave kufitare saudite mund të përbënin krime kundër njerëzimit./Nacionale

Lajme të ngjashme