Forcat izraelite rrethojnë një spital dhe një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite kanë rrethuar një spital qeveritar palestinez në Jenin dhe një kamp refugjatësh në zemër të qytetit, përderisa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se sulmi shënoi “një ndryshim në... strategjinë e sigurisë” në Bregun Perëndimor.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të mërkurën se kishin kryer sulme ajrore në Jenin si dhe kishin detonuar pajisje shpërthyese skaj rrugëve. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën dhjetë njerëz u vranë në Jenin, ndërsa mbi 40 të tjerë u plagosën, raporton gazeta “The Guardian”.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se autoambulancave të saj u ishte parandaluar arritja te shumë të vdekur dhe të plagosur që ndodheshin të shtrirë rrugëve të lagjeve përreth kampit të refugjatëve në Jenin.
“Askush nuk mund ta thyejë rrethimin ndaj kampit të refugjatëve dhe zonës përreth tij” – tha Nebal Farsakh, zëdhënëse e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. Mjekët e kësaj organizate kishin trajtuar shtatë raste fatale dhe 17 persona të plagosur, të gjithë të lënduar nga municioni i vërtetë, shtoi ajo.
Bastisja izraelite në përshkallëzim e sipër ndaj Jeninit vazhdoi pavarësisht nga armëpushimi i arritur rishtazi në Gaza, duke u pauzuar sulmi izraelit që kishte vazhduar për 15 muaj pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj qytezave izraelite afër Gazës.
Përshkallëzimi në Jenin erdhi pasi forcat izraelite ngulfatën hyrjet e daljet në qytete palestineze në mbarë Bregun Perëndimor duke përdorur pika kontrolli. Në orët e hershme të së mërkurës, ushtarët izraelitë nisën një bastisje edhe në kampin e refugjatëve Aida, që ndodhet në veri të Bethlehemit dhe në Tulkarm. Agjencia palestineze e lajmeve, “Wafa”, tha se të paktën 29 persona u arrestuan në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të mërkurën në mëngjes, shumica prej tyre burra të rinj.