Forcat izraelite e arrestojnë gazetarin e njohur palestinez, Ali al-Samoudi
Sindikata e Gazetarëve Palestinezë e ka dënuar arrestimin e një gazetari të njohur lokal nga forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ali al-Samoudi, i cili ka punuar gjerësisht me media perëndimore, u ndalua të martën herët gjatë një bastisjeje në shtëpinë e djalit të tij në qytetin verior, Jenin, raporton televizioni BBC.
Gazetari 58-vjeçar u mor në pyetje për gjysmë ore në një vend të panjohur dhe më pas u dërgua në një spital izraelit për shkak të përkeqësimit të shëndetit, tha biri i tij Mohammedi.
Ushtria izraelite tha se Samoudi “u identifikua me organizatën terroriste Xhihadi Islam” dhe është “i dyshuar për transferimin e fondeve” te kjo organizatë, pa paraqitur ndonjë dëshmi.
Familja e gazetarit e mohoi fuqishëm përfshirjen e tij dhe tha se në karrierën e tij të gjatë, kurrë më parë nuk ishte ballafaquar me një akuzë të tillë.
Anëtarët e familjes thanë se autoritetet izraelite nuk ua kishin treguar emrin e spitalit ku po trajtohej familjari i tyre ose ndonjë hollësi tjetër.
Ushtria izraelite njoftoi në mënyrë të veçantë të martën se forcat e sigurisë kishin ndaluar gjithsej 24 persona të kërkuar, “të përfshirë në transferimin e fondeve te një organizatë terroriste”, përfshirë tre nga qytetin Jenin, gjatë bastisjeve në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor.
Në majin e vitit 2022, Samoudi ishte duke punuar me korrespondenten palestinezo-amerikane të televizionit “Al Jazeera”, Shireen Abu Aqla, kur ajo ishte qëlluar për vdekje nga një snajper izraelit në hyrjen e kampit të refugjatëve në Jenin. Gazetari Samoudi gjithashtu ishte qëlluar me armë, duke u mbetur i plagosur në shpinë.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), forcat izraelite kanë arrestuar të paktën 79 gazetarë në Bregun Perëndimor dhe në Gaz që nga fillimi i luftës në Gaza në tetorin e vitit 2023, ndërsa autoritetet palestineze kanë arrestuar pesë të tjerë.
CPJ-ja thotë se 176 gazetarë të tjerë, pothuajse të gjithë palestinezë, janë vrarë në Gaza, në Bregun Perëndimor, në Izrael e në Liban gjatë luftës./Nacionale