Forcat izraelite avancojnë në Qytetin Gaza para takimit Trump – Netanyahu - NACIONALE

Forcat izraelite avancojnë në Qytetin Gaza para takimit Trump – Netanyahu

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tanket izraelite iu afruan qendrës së Qytetit Gaza të hënën, duke e vazhduar ofensivën tokësore disa orë para bisedimeve mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se mund të ketë progres për përfundimin e luftës.

Pas gati dy vjetëve të përpjekjeve të dështuara diplomatike, Uashingtoni javën e kaluar u paraqiti një plan 21-pikësh shteteve arabe e myslimane. Në këtë plan bëhet thirrje për armëpushim të përhershëm dhe lirimin të pengjeve të mbetura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi, i cili javën e kaluar tha se besonte që ishte afër marrëveshja për t’u dhënë fund luftimeve, premtoi “diçka special” para takimit me Netanyahun.

Një burim i afërt me diskutimet tha se zyrtarët izraelitë kanë ngritur shqetësime te homologët amerikanë për propozimin, përfshirë përfshirjen e propozuar të forcave palestineze të sigurisë në Gaza pas luftës, mungesën e qartësisë për atë nëse zyrtarët e Hamasit do të dëbohen nga enklava dhe për atë se kush do ta mbajë përgjegjësinë e përgjithshme për sigurinë e Gazës.

Të hënën, tanket izraelite iu afruan në disa qindra metra spitalit “Al Shifa” në Qytetin Gaza, ku mjekët thanë se qindra pacientë ende janë duke u trajtuar pavarësisht nga urdhrat e Izraelit për t’u larguar.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se tanket e kishin rrethuar edhe zonën përreth spitalit “Al Helo”, ku 90 pacientë ishin duke u trajtuar, përfshirë 12 foshnja në inkubatorë. Mjekët thanë se ky spital u sulmua gjatë natës.

Izraeli ka thënë se nuk do t’i ndalë luftimet derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet dhe t’i dorëzojë armët në mënyrë të përhershme./Nacionale

Lajme të ngjashme