FMN-ja paralajmëron se ekonomia botërore është në rrezik recesioni, nëse lufta e Iranit vazhdon
Ekonomia globale është në rrezik nga recesioni, nëse lufta amerikano-izraelite me Iranin dhe çmimet e larta të energjisë vazhdojnë, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Në raportin e tij, Perspektiva Ekonomike Botërore, FMN-ja tha se, në një skenar të rastit më të keq, kur çmimet e naftës, gazit dhe ushqimit rriten dhe mbeten të larta këtë vit dhe vitin e ardhshëm, rritja ekonomike globale mund të bjerë nën 2 për qind më 2026, raporton televizioni BBC.
Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scot Bessent, i tha BBC-së se “një pjesë e vogël e dhimbjes ekonomike” ia vlen të paguhet për ta eliminuar rrezikun që Irani të godasë kryeqytete perëndimore me armë bërthamore.
Në raportin e FMN-së thuhet se kushtet më të rënda që do të mund të çonin në ngadalësim të ekonomisë globale do ta përfshinin çmimin e naftës me mesatare prej 110 dollarë për fuçi këtë vit dhe arritjen në 125 dollarë më 2027.
Duke u mbështetur në këto supozime, IMF-ja tha se inflacioni mund të arrijë deri në 6 për qind vitin e ardhshëm. Një gjë e tillë do të mund t’i detyronte bankat qendrore që t’i rrisin shkallët e interesit për ta ngadalësuar ritmin e rritjes së çmimeve.
Kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, i tha BBC-së se një konflikt i zgjatur do të çonte në inflacion në rritje, papunësi të shtuar dhe pasiguri ushqimore në disa shtete.
Ai paralajmëroi se edhe nëse konflikti do të përfundonte sot, ndikimi mbi furnizimin me naftë do të ishte po aq i madh sa pasojat e krizës së naftës të viteve të shtatëdhjeta, kur vendet arabe u kishin vënë embargo ShBA-së dhe vendeve të tjera, të cilat e kishin mbështetur Izraelin gjatë Luftës së Yom Kippur-it./Nacionale