Florida goditet nga vërshimet, shpallet gjendje e jashtëzakonshme
Shumë komunitete në jug të Floridës së ShBA-së – përfshirë zonat në Miami dhe Fort Lauderdale – u vërshuan të mërkurën pas reshjeve të dendura që e nxitën guvernatorin Ron DeSantis që të shpallte gjendje të jashtëzakonshme.
Paralajmërimet për vërshime ishin në fuqi të mërkurën natën për disa pjesë në distriktet Broward, Miami-Dade, Collier dhe Hendry deri të enjten në mëngjes, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, i cili paralajmëroi se po ndodhnin “vërshime me rrezik për jetën”, raporton televizioni CNN.
“Shumë zona janë të vërshuara me ujë, ka vetura të bllokuara dhe më shumë reshje priten tutje. Qëndroni larg rrugëve, nëse është e mundshme” – tha të mërkurën në mbrëmje shërbimi i motit.
Në pamje që u publikuan në rrjete sociale shihej niveli i ujit që kishte arritur deri te dritaret e automjeteve, duke mbushur parkingje e rrugë të lagjeve.
Në Miami, në video shiheshin automjete të bllokuara që ishin vërshuar pothuajse plotësisht nën ujë.
Në plazhin Hallandale, ku në pamje shihej një burrë duke bërë kajak mes veturave, zyrtarët u bënë thirrje banorëve që të qëndronin të strehuar dhe t’i shmangnin vozitjen ose ecjen nëpër zonat e vërshuara.
Një grua që po shkonte me veturë në punë tha se kishte mbetur për pesë orë e ngujuar në automjetin e saj në Bulevardin e Plazhit Hallandale për shkak të vërshimeve.