Florida ballafaqohet me “jetë a vdekje”, përderisa uragani “Milton” po afrohet - NACIONALE

Florida ballafaqohet me “jetë a vdekje”, përderisa uragani “Milton” po afrohet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Banorët e Floridës së ShBA-së po nxitojnë që t’i përfundojnë përgatitjet urgjente – ose thjesht që të largohen – përderisa uragani “Milton” po i afrohet territorit tokësor në Gjirin e Tampas, që ka popullsi të dendur.

Tani për tani, “Milton”-i është stuhi e kategorisë së pestë, e shoqëruar me erë të fuqishme që e arrin shpejtësinë deri në 270 kilometra në orë. Pritet që uragani të godasë me forcën e plotë të mërkurën natën, më pak se dy javë pasi shteti ishte goditur nga uragani shkatërrues, “Helene”, raporton televizioni BBC.

“Një kategori e pestë, që është si një tornado gjigant që po vjen te ti” – i tha televizionit BBC një banor i qytetit Bradenton nga hoteli ku ishte evakuuar, në Kisssimmee.

“Nuk do të doja të jem këtu. Kjo do të jetë stuhi që e ndryshon jetën, pavarësisht se ku godet” – tha Gerald Lemus-i.

Ai ka jetuar tërë jetën në Bradenton, por tha se kurrë deri më tani nuk ishte evakuuar për shkak të ndonjë stuhie. Megjithatë, amerikani vendosi që të largohej për sigurinë e së bijës 8 vjeçe.

Guvernatori Ron DeSantis tha të martën se Florida kishte përgatitur dhjetëra strehimore jashtë zonave të evakuimit për t’u ndihmuar banorëve të ngujuar pas stuhisë “përbindësh”.

Kolona të gjata të automjeteve u formuan para pompave të karburanteve në jug të Floridës, ndërsa disa pompa mbeten pa naftë e benzinë.

Guvernatori tha se benzina po dërgohej me kamionë nëpër pompa, ndërsa po vendoseshin edhe stacione për rimbushjen e automjeteve me rrymë përgjatë rrugëve për ta lehtësuar evakuimin.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të martën, presidenti Joe Biden tha se kjo stuhi mund të jetë ndër më të rëndat për Floridën në një shekull. “Evakuohuni tani, tani, tani” – iu drejtua ai banorëve të shtetit juglindor të ShBA-së.

Shtëpia e Bardhë i anuloi vizitat e planifikuara të presidentit në Gjermani dhe Angolë për t’i mbikëqyrur përgatitjet para arritjes së stuhisë dhe rimëkëmbjen pas uraganit “Helene”./Nacionale

Lajme të ngjashme