Fituesi i zgjedhjeve në Holandë tallet keq me gafat e Bidenit me Zelenskyn e Harrisin - NACIONALE

Fituesi i zgjedhjeve në Holandë tallet keq me gafat e Bidenit me Zelenskyn e Harrisin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Geert Wilders, partia e së djathtës ekstreme e të cilit i fitoi zgjedhjet e fundit në Holandë, është tallur me presidentin amerikan, Joe Biden, pasi ky bëri gafa gjatë një fjalimi në samitin e NATO-s në Uashington.

Duke publikuar një fotografi të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe nënpresidentes amerikane, Kamala Harris, holandezi shkroi: “Presidenti Putin takohet me nënpresidenten Trump”, raporton agjencia “Reuters”.

Të enjten mbrëma, presidenti amerikan iu referua gabimisht Zelenskyt si “presidenti Putin”, ndërsa zonjës Harris iu referua si “nënpresidentja Trump”, duke ia ngatërruar mbiemrin me atë të rivalit të tij republikan, Donald Trump.

Disa udhëheqës evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, i dolën në mbrojtje Bidenit pas gafave, por shtypi ndërkombëtar pati qasje shumë më kritike.

“Rrëshqitjet e gjuhës ndodhin dhe nëse gjithmonë e vëzhgoni secilin, do të gjeni mjaft të tilla” – tha kancelari gjerman, kur u pyet për gafën e Bidenit rreth ngatërrimit të Zelenskyt me Putinin.

Sidoqoftë, e përditshmja e njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ishte më e ashpër, duke e cilësuar “turpërim” gafën e Bidenit.

Lajme të ngjashme