Film i dobët nga Rusia: Nënkoloneli i kërkon Putinit të garojë në zgjedhje, ai pranon - NACIONALE

Film i dobët nga Rusia: Nënkoloneli i kërkon Putinit të garojë në zgjedhje, ai pranon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zor se ndokush do të befasohet nga ky lajm, por po e publikojmë. Presidenti rus, Vladimir Putin, u tha të premten ushtarëve që kishin luftuar në Ukrainë se do të garojë përsëri për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ky veprim pritet t’ia garantojë ish-spiunit të KGB-së qëndrimin në pushtet të paktën deri në vitin 2030.

Putini, të cilit i ishte dhënë presidenca ruse nga Boris Jelcini në ditën e fundit të vitit 1999, tashmë ka shërbyer në këtë post për kohë më të gjatë se cilido udhëheqës i Rusisë që nga periudha e Stalinit, duke e kaluar edhe jetëgjatësinë e pushtetit 18-vjeçar të Leonid Brezhnevit, raporton agjencia “Reuters”.

Pasi Putini ua dha nderin më të lartë ushtarak veteranëve të luftës në Ukrainë, yllin e artë “Hero i Rusisë”, një nënkolonel i quajtur Aryom Zhoga, komantant i Batalionit “Sparta”, kërkoi nga Putini që të garonte përsëri në zgjedhje.

“Ai do të garojë”- tha Zhoga para gazetarëve gjatë këtij organizimi.

Korrespondenti i gazetës “Kommersant”, Andrei Kolesnikov, tha: “Presidenti u pajtua.”

Agjencitë shtetërore të lajmeve e cituan Zhogën të ketë thënë se ishte shumë i kënaqur që Putini ia miratoi kërkesën, duke shtuar se tërë Rusia do ta përkrahë këtë vendim.

Agjencia “Reuters” kishte raportuar muajin e kaluar se Putini kishte vendosur që të garonte në zgjedhjet që pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Për politikanin 71-vjeçar, zgjedhjet janë formalitet: me përkrahjen e shtetit, të mediave të kontrolluara nga shteti e pothuajse pa pakënaqësi të gjerë publike, është e sigurt se ai do të fitojë, thekson agjencia “Reuters”.

Lajme të ngjashme