“Ferri për t’u paguar”: Hamasi i kundërpërgjigjet kërcënimit të Trumpit
Hamasi i është kundërpërgjigjur presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se do të jetë “ferri për t’u paguar”, nëse nuk lirohen të gjitha pengjet që po mbahen në Gaza para inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan, i cili mbajti një konferencë për gazetarë në Algjer të Algjerisë, e përsëriti kushtin e gurpit për “përfundim të plotë të agresionit dhe tërheqje të plotë nga tokat që pushtimi [Izraeli] i ka pushtuar”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përderisa tha se nuk do të jepte hollësi rreth rundit të ri të bisedimeve për armëpushim në Gaza, ai tha se Izraeli e ka fajin për minimin e të gjitha përpjekjeve për arritjen e një pakti.
Duke e komentuar kërcënimin e Trumpit, Hamdani tha: “Mendoj se presidenti i ShBA-së duhet të bëjë deklarata më të disiplinuara e më diplomatike.”
Izraeli ka një ekip të zyrtarëve të rangut të mesëm në Katar për bisedime të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti. Në disa raportime të mediave arabe thuhet se David Barnea, drejtor i Mossadit, që ka qenë duke i udhëhequr bisedimet, pritet t’u bashkohet atyre. Zyra e kryeministrit izraelit nuk komentoi.
Në një hap domethënës drejt arritjes së marrëveshjes, një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë “Reuters” të dielën se grupi kishte miratuar një listë të dorëzuar nga Izraeli me emrat e 34 pengjeve që do të mund të liroheshin në fazën fillestare të armëpushimit në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që janë duke u mbajtur nga Izraeli.
Nga sulmet ushtarake izraelite u vranë të paktën dhjetë palestinezë në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të martën, thanë mjekët, përderisa Ministria e Shëndetësisë, e menaxhuar nga Hamasi, u bëri thirrje donatorëve ndërkombëtare që menjëherë të ofrojnë karburant për t’u mbajtur në funksion shërbimet mjekësore./Nacionale