FBI-ja thotë se rrëzimi i urës nuk lidhet me terrorizëm tash për tash, tregohet një defekt - NACIONALE

FBI-ja thotë se rrëzimi i urës nuk lidhet me terrorizëm tash për tash, tregohet një defekt

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në një deklaratë të lëshuar të martën, zyra e FBI-së në Baltimore të Shteteve të Bashkuara tha se “nuk ka të dhëna specifike e të besueshme për të sugjeruar ndonjë lidhje me terrorizmin në këtë kohë” në lidhje me rrëzimin e urës që u godit nga një anije mallrash.

Guvernatori i shtetit Maryland, Wes Moore, tha se hetimi preliminar rreth rastit “tregon për një aksident”, raporton televizioni CNN.

“Hetimi fillestar tregon për një aksident. Ne nuk kemi parë ndonjë dëshmi të besueshme për një sulm terrorist” – tha ai të martën në një konferencë për gazetarë.

Moore tha se ai e pranon që “shumë prej nesh ndiejnë dhimbje tani” dhe tha se autoritetet janë duke punuar për të grumbulluar hollësi për atë që ka ndodhur.

Në një dokument të Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe të Infrastrukturës – CISA – konfirmohet se anija “Dali” me flamur të Singaporit “e humbi forcën shtytëse” dhe u përplas me “një kullë mbështetëse të urës”.

Ndërkohë një person është duke iu nënshtruar trajtimit mjekësor pas aksidentit. Nuk u dha ndonjë hollësi për gjendjen e pacientit.

Zyrtarët vlerësojnë se janë të paktën shtatë persona të zhdukur, por theksojnë se numri i të zhdukurve mund të ndryshojë.

Lajme të ngjashme