FBI-ja akuzon hakerët e mbështetur nga Koreja e Veriut për vjedhje kriptovalutash me vlerë 1.5 miliard dollarë - NACIONALE

FBI-ja akuzon hakerët e mbështetur nga Koreja e Veriut për vjedhje kriptovalutash me vlerë 1.5 miliard dollarë

2 javë më parë

nga NACIONALE

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara ka akuzuar hakerë të lidhur me Korenë e Veriut për kryerjen e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të kriptovalutave që dihen publikisht, duke siguruar kriptovaluta “Ethereum” në vlerë të rreth 1.5 miliard dollarëve nga një kompani me seli në Dubai.

Në shënjestër të vjedhjes që ndodhi më herët këtë muaj ishte kompania “Bybit”, njëra nga më të mëdhatë në botë për shkëmbimin e kriptovalutave. Ky është një rast tjetër ku përfshihet një ekip hakerësh të identifikuar nga autoritetet amerikane me emrat si “TraderTraitor” dhe “Lazarus Group”, raporton agjencia e lajmeve "Associated Press".

Në një njoftim për shërbim publik të publikuar të mërkurën vonë, FBI-ja tha se beson që hakerët e mbështetur nga Koreja e Veriut ishin “përgjegjës për vjedhjen”.

“Aktorët e TraderTraitor-it janë duke proceduar shpejt dhe i kanë shndërruar disa prej aseteve të vjedhura në “Bitcoin” dhe në asete të tjera virtuale të shpërndara nëpër mijëra adresa në shumë zinxhir-blloqe” – thuhet në njoftimin e FBI-së.

Mediat shtetërore të Koresë së Veriut nuk e kanë bërë të njohur as vjedhjen masive, as akuzën e FBI-së. Misioni i Penjanit në Kombe të Bashkuara në Gjenevë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Associated Press” për koment.

Sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, Koreja e Veriut ka vjedhur kriptovaluta në vlerë të rreth 1 miliard e 200 milionë dollarëve në pesë vitet e fundit. Kjo metodë paraqet një burim të rrallë të valutave të huaja që janë shumë të nevojshme për ta mbështetur ekonominë e brishtë të shtetit të largët dhe për ta financuar programin e tij bërthamor përballë sanksioneve intensive të OKB-së dhe mbylljes së rreptë të kufijve të Koresë së Veriut gjatë pandemisë së koronavirusit.

Një panel ekspertësh i OKB-së ka thënë se ishte duke hetuar 58 sulme të dyshimta kibernetike nga Koreja e Veriut në periudhën 2017 – 2023, me ç’rast janë vjedhur rreth 3 miliardë dollarë që “siç thuhet, për ta ndihmuar financimin e zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë”./Nacionale

Lajme të ngjashme