Evropa mund t’i hakmerret taksave të ShBA-së për Grenlandën me “bazukën tregtare”
E ashtuquajtura “bazukë tregtare”, zyrtarisht Instrumenti Kundër Shtrëngimit (ACI), është një ligj që i mundëson Bashkimit Evropian që t’i kundërpërgjigjet shantazhit ekonomik që vjen nga shtetet që nuk janë pjesë e bllokut.
Me këtë ligj parashihen kërcënime me pasoja shumë të ashpra, nëse vendet jashtë BE-së mundohen që t’ua imponojnë vullnetin e tyre Bashkimit Evropian ose shteteve anëtare, përfshirë taksat, kufizimet ndaj eksportit dhe importit, kufizimet ndaj tregtisë në shërbime si dhe qasjen e zvogëluar në tregjet e bankave dhe kapitalit, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, një masë e tillë shihet si “bombë bërthamore ekonomike”, thekson transmetuesi public britanik.
Qëllimi i vërtetë i “bazukës ekonomike” është që t’i sjellë shtetet jashtë bllokut në tavolinën e bisedimeve. Përdorimi i kësaj mase në praktikë do të mund të shkaktonte dëm serioz ekonomik edhe brenda vetë Bashkimit Evropian, prandaj shihet si opsion i fundit.
Për më tepër, kjo nuk është masë që përfshihet në kundërpërgjigje të shpejta. Komisioni Evropian mund të shfrytëzojë deri në katër muaj për të hetuar ndonjë shtrëngim ose detyrim të dyshimtë, gjashtë muaj të tjerë për bisedime me shtetin e përfshirë dhe pastaj vendet anëtare të BE-së kanë deri në dhjetë javë kohë për të autorizuar ndonjë veprim.
Pra, edhe nëse Komisioni Evropian e fillon procedurën qysh tash, mund të kalojë një vit derisa “bazuka ekonomike” në të vërtetë të “shkrepet”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar taksë shtesë prej 10 për qind ndaj tetë shteteve evropiane nga 1 shkurti për shkak të kundërshtimit të synimit të tij për ta marrë nën kontroll Grenlandën, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës./Nacionale