Evropa duhet të zgjohet nga gjumi pas ndryshimit të politikës së ShBA-së, thotë Mitsotakis - NACIONALE

Evropa duhet të zgjohet nga gjumi pas ndryshimit të politikës së ShBA-së, thotë Mitsotakis

1 vit më parë

nga NACIONALE

Evropa duhet të zgjohet nga gjumi dhe ta ndërtojë politikën e vet të mbrojtjes pas një ndryshimi dramatik nga Shtetet e Bashkuara sa i përket Ukrainës dhe pas zhvillimeve gjeopolitike në muajt e fundit, tha të mërkurën vonë kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë javë e përmbysi politikën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, duke e quajtur “diktator” presidentin e saj, Volodymyr Zelensky, e duke sugjeruar se Kievi e nisi luftën para tre vjetëve mes Ukrainës e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve“Reuters”.

Duke iu drejtuar një konference të biznesit në Selanik të mërkurën vonë, kryeministri grek tha se Evropa duhet “të zgjohet nga letargjia gjeopolitike dhe ekonomike në të cilën fatkeqësisht ka rënë për ca kohë”.

“Zhvillimet e fundit dhe ky vështrim ndryshe i gjërave nga Shtetet e Bashkuara tani na detyrojnë ne jo vetëm që të ballafaqohemi me të vërtetën, por të lëvizim me shpejtësi shumë të madhe dhe të zbatojmë vendime për të cilat kemi diskutuar gjatë” – tha më tej Mitsotakisi.

Ai e përmendi ndërtimin e një politike të mbrojtjes nga Evropa, e cila do ta lejonte kontinentin që ta zhvillojë fuqinë e vet parandaluese dhe ta zvogëlojë mbështetjen te ShBA-ja.

Komentet e tij erdhën pak pasi u bë pjesë virtualisht e një takimi të dytë që Franca e organizoi me udhëheqës evropiane dhe me Kanadanë për të diskutuar rreth Ukrainës.

Evropa është mbështetur shumë te fuqia e Shteteve të Bashkuara brenda NATO-s për sigurinë e saj dhe Trumpi në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar që kontinenti të shpenzojë më shumë në fushën e mbrojtjes.

Të mërkurën, Trumpi paralajmëroi se Zelensky duhet të lëvizë shpejt për ta siguruar paqen ose rrezikon që ta humbë vendin, duke thelluar një përplasje mes dy presidentëve që ka alarmuar zyrtarë evropianë.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime për paqe këtë javë në Arabinë Saudite pa Ukrainën, duke i shokuar Kievin dhe aleatët evropianë./Nacionale

Lajme të ngjashme